Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke paralajmëruar se vapa mund të paraqesë rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Përmes një njoftimi, IKSHPK-ja u ka bërë apel qytetarëve të ndjekin rekomandimet për mbrojtje nga efektet e temperaturave të larta dhe të kujdesen jo vetëm për veten, por edhe për familjarët dhe personat më të rrezikuar.
Instituti rekomandon që qytetarët të pinë ujë shpesh dhe të shmangin pijet me sheqer dhe alkool, të kufizojnë daljet në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës (11:00–17:00), si dhe të veshin rroba të lehta, prej pambuku dhe me ngjyra të hapura.
Po ashtu, IKSHPK-ja ka bërë thirrje për kujdes të veçantë ndaj të moshuarve, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta, ndërsa rikujton se fëmijët nuk duhet të lihen asnjëherë në automjet, qoftë edhe për pak minuta, pasi temperatura brenda veturës mund të rritet shpejt në nivele të rrezikshme.
Instituti këshillon gjithashtu hidratim të rregullt, përdorimin e kremit mbrojtës ndaj rrezeve të diellit, mbrojtjen e kokës dhe syve, si dhe vëmendje ndaj simptomave të goditjes nga nxehtësia, si lodhja, marramendja dhe dhimbja e kokës. Në rast të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, qytetarët këshillohen të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.