IKD në kuadër të programit qasje në drejtësi ka për qëllim promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë. Në këtë drejtim, IKD që nga fillimi i fushatës së vaksinimit kundër COVID-19 ka bërë monitorimin e situatës edhe tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në bazë të monitorimit dhe takimeve në teren me qytetarët, IKD ka gjetur se ka mungesë të informimit dhe vetëdijesimit adekuat rreth procesit të vaksinimit tek këto komunitete.
Për më tepër, IKD konsideron që kërkesa për regjistrim në portalin e-Kosova është shpesh e parealizueshme për shumë qytetarë nga grupet e margjinalizuara, për shkak të mungesës së qasjes në internet, telefon, apo kompjuter, vështirësive që një numër i tyre kanë me shkrim dhe lexim, si dhe mungesës së informatave në gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Gjithashtu, fakti që institucionet nuk mbajnë statistika se sa persona nga secili komunitet janë vaksinuar, lë hapësirë për një trajtim jo të barabartë të të gjitha komuniteteve në këtë proces.





