Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Arben Rashkaj, ka kujtuar 17 qershorin e vitit 1999, ditën kur u plagos rëndë gjatë kryerjes së një detyre ushtarake në fshatin Milaj të Hasit të Prizrenit.
Përmes një rrëfimi prekës, Rashkaj ka thënë se kjo datë për të nuk përfaqëson një ditëlindje të zakonshme, por “ditën e rilindjes”.
Sipas tij, më 17 qershor 1999, teksa po kryente një detyrë me rëndësi ushtarake, ai u gjend në një fushë të minuar dhe shkeli në një minë këmbësorie.
“Pasojat ishin të rënda. Humbja e këmbës së djathtë, plagët në krahun e majtë, në syrin e majtë dhe në gojë ndryshuan përgjithmonë jetën time. Ajo ditë mund të kishte qenë fundi i jetës sime, por u bë fillimi i një jete të re”, ka deklaruar Rashkaj.
Ai ka theksuar se, megjithëse kujtimet e asaj dite shoqërohen me dhimbje, ato njëkohësisht janë burim krenarie dhe mirënjohjeje për faktin se arriti të mbijetojë.
“Çdo ditë e jetuar pas 17 qershorit 1999 është një dhuratë, një fitore dhe një dëshmi se njeriu mund të ngrihet edhe pas goditjeve më të rënda”, është shprehur ai.
Rashkaj ka nderuar kujtimin e të gjithë atyre që nuk arritën të mbijetojnë luftën, duke vlerësuar sakrificën e secilit që kontribuoi për lirinë e Kosovës.
Ai gjithashtu ka falënderuar familjen, miqtë dhe të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë gjatë viteve të rikuperimit dhe sfidave të jetës.
Në mesazhin e tij, ish-ushtari i UÇK-së ka shprehur edhe keqardhjen që, sipas tij, sakrifica e bërë për lirinë e vendit nuk vlerësohet gjithmonë sa duhet.
“Do të dëshiroja që kujtimi dhe vlerësimi për këtë sakrificë të vinte më shpesh nga ata për të cilët ajo u bë. Por, pavarësisht gjithçkaje, nuk pendohem. Sakrifica për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e vendit tim ishte dhe mbetet nderi më i madh i jetës sime”, ka përfunduar Rashkaj.


