Ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare bashkatdhetari nga Prizreni, Arsim Elshani, në një aksident trafiku në Gjermani.
Sipas mediave gjermane, aksidenti ndodhi midis trekëndëshit të autostradës Wanlo dhe kryqëzimit Erkelenz-Ost, ku më 15 nëntor 2025, shoferi i dyshuar në gjendje të dehur hyri në drejtim të gabuar të autostradës dhe u përplas direkt me makinën e të ndjerit Elshani.
Përplasja ishte aq e fortë sa të dy shoferët mbetën të bllokuar në makinat e tyre. Zjarrfikësit luftuan me orë të tëra për t’i nxjerrë nga makinat e tyre, por ndihma ishte shumë vonë për 47-vjeçarin nga Kosova; ai vdiq nga plagët e rënda në vendngjarje. Shoferi i dyshuar për shkaktimin e këtij aksidenti me fatalitet u dërgua me lëndime të rënda në spital.







