LAJME

Kurti kërkon nga Shqipëria që ta ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare

Kurti kërkon nga Shqipëria që ta ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Mars 2023, 09:02

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar të dielën në Tiranë për të diskutuar me krerët e shtetit shqiptar mbi zhvillimet e fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Në takimet kryesore politike, Kurti ka gjetur mbështetje të gjerë politike nga Tirana zyrtare për kurajon e treguar në Takimin e Ohrit dhe ujdinë e arritur për të hedhur hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Gjatë paradites, Kurti u prit nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe më pas nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i vlerësoi rezultatet e takimit të Ohrit, si një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Zyra e Presidencës njoftoi se lidhur me takimin e Ohrit të mbajtur më 18 mars 2023, Begaj vlerësoi dakordësimin publik dhe angazhimin e palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës. Begaj ka shprehur po ashtu besimin, se do të gjenden mekanizmat e duhur që dakordësimi publik i Ohrit të kthehet në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Kurti zhvilloi bisedime të dielën edhe me kryeministrin Edi Rama. Pas takimit, Rama shkroi në Facebook se i ka shprehur kryeministrit të Kosovës simpatinë për kurajon dhe realizmin që ka treguar për të hedhur hapa me rëndësi.

“E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, ka shkruar Edi Rama.

Pas takimeve me krerët e shtetit shqiptar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në qendër të bisedime kanë qënë detajet e përmbajtjes së marrëveshjeve të realizuara në Bruksel dhe aneksi i zbatimit në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës dhe Serbisë.

”Dëshirova që t’i njoftoj për së afërmi dhe në hollësi me procesin e dialogut, por gjithashtu me elementët përbërës të marrëveshjes që tashmë duhet të realizohet” – u shpreh Kurti.

Më tej ai kërkoi nga Shqipëria që ta ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Çdo herë kur diskutohet, duhet të mbrohet Kosova, subjektiviteti i saj, sovraniteti, pavarësia, integriteti territorial. Por gjithashtu, të na ndihmojë edhe në anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, meqenëse e dimë se Shqipëria ka ulëse në OKB, është pjesëmarrëse dhe anëtare” – shtoi kryeministri Kurti.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika