Biznese të mëdha që përfshijnë banka, linja ajrore, kompani të telekomunikimit, transmetues radiotelevizivë dhe supermarkete janë përballur me bllokim të sistemeve kompjuterike.
Shumë aeroporte dhe linja ajrore kanë raportuar për pengesa në sistemet e tyre. Disa kanë anuluar fluturimet.
Linjat “United”, “Delta”, “American” me bazë në SHBA kanë ndaluar fluturimet.
Në Aeroportin e Sydneyt është shkaktuar kaos pas një ore paqartësie.
Ekranet e informacionit të nisjeve janë kthyer në të zeza dhe disa linja nuk kanë mundur ta kryejnë kontrollën normale të pasagjerëve në kompjuterë.
Linja ajrore evropiane “Ryanair” po ashtu ka raportuar për pengesa në rrjet. Ngatërresa në sistem ka pasur edhe në Aeroportin e Edinburghut, Berlinit, Spanjës, Japonisë, Indisë, Singaporit. Në Zelandën e Re përveç aeroportit, edhe Parlamenti ka raportuar rënie në sistem.
Kompania e telekomunikimit australiane “Telstra Group” po ashtu ka thënë se është përballur me problemin e njëjtë.
Kanalit televiziv britanik “SkyNews” i është ndaluar transmetimi. Po ashtu kompanitë e trenave janë prekur në Britani.
Policia në shtetin amerikan të Alaskës ka raportuar për bllokim të linjës për emergjenca – 911.
Janë prekur edhe spitalet e shërbimet e tjera shëndetësore në Izrael gjithashtu.
Microsoft ka thënë se po merret me problemin.
Është raportuar se një kompani e sigurisë kibernetike e quajtur Crowdstrike, e cila prodhon softuerë kundër viruseve kompjuterike, ka lëshuar një përditësim softuerik që ka shkuar keq dhe tani po u shkakton probleme pajisjeve Windows.