Sylejman Baxhaku ka paraqitur dorëheqjen e tij nga detyra e Drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit.
Baxhaku, i cili këtë detyrë e ka ushtruar si kuadër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në kuadër të koalicionit PDK-LDK në Prizren, përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve ka bërë të ditur vendimin e tij pas rreth gjashtë muajsh në këtë pozitë.
Në njoftimin e tij, Baxhaku ka thënë se gjatë kësaj periudhe është përpjekur me përkushtim të ndërtojë një sistem shëndetësor funksional dhe në shërbim të qytetarëve.
Megjithatë, ai ka theksuar se menaxhimi efektiv kërkon autonomi zyrtare dhe bashkëpunim institucional.
Baxhaku ka kritikuar ndërhyrjet politike në procesin e vendimmarrjes, duke pretenduar se ato kanë ardhur si nga niveli komunal, ashtu edhe nga udhëheqja e partisë.
Sipas tij, kur vendimmarrja dëmtohet nga ndërhyrjet politike dhe struktura drejtuese anashkalohet në mënyrë të përsëritur, vazhdimi i detyrës bëhet i pamundur.
“Shëndetësia e Prizrenit meriton punë e integritet, jo lojëra politike”, ka deklaruar Baxhaku.
Në fund të njoftimit, ai ka falënderuar stafin shëndetësor për punën e palodhshme, ndërsa qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen.