LAJME

Hoxhaj: Jam kandidatja më e dëmtuar nga lista e PDK-së në Prizren, votat e familjarëve dhe miqve më është hequr

Hoxhaj: Jam kandidatja më e dëmtuar nga lista e PDK-së në Prizren, votat e familjarëve dhe miqve më është hequr
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Janar 2026, 12:41

Kandidatja për deputete e PDK-së nga Prizreni, Jona Hoxhaj, ka reaguar pas dallimeve të vërejtura në numrin e votave gjatë procesit të rinumërimit të votave të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar, duke dënuar ashpër, siç ka thënë ajo, manipulimin e votave dhe parregullsitë e evidentuara.

“Si ish-kandidate për deputete dhe aktiviste e partisë, e dënoj plotësisht aktin e manipulimit të votave dhe parregullsitë që u evidentuan nga procesi i rinumërimit të votave në Prizren. Është i papranueshëm çdo devijim i vullnetit qytetar dhe çdo cenim i votës, e cila është një e drejtë themelore e secilit qytetar”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ajo ka theksuar se nga këto parregullsi është dëmtuar drejtpërdrejt vota e saj dhe e mbështetësve të saj, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi serioze ndaj qytetarëve që i kanë besuar.

“Vota e familjarëve të mi, e miqve, shoqeve e shokëve të mi dhe e bashkëpartiakëve të mi është prekur dhe është tjetërsuar, duke më u hequr në mënyrë të padrejtë. Kjo nuk është padrejtësi vetëm ndaj meje, por ndaj secilit qytetar që ka shprehur vullnetin e tij demokratik”, ka shtuar ajo.

Hoxhaj ka falënderuar gjithashtu qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se, sipas saj, është kandidatja më e dëmtuar nga lista e PDK-së në Prizren.

“Kushdo që mban përgjegjësi për këtë dëm ka cenuar drejtpërdrejt të drejtën e njerëzve që besuan tek unë për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre”, ka deklaruar ajo.

Pavarësisht situatës, Hoxhaj ka theksuar se ky proces e motivon që të vazhdojë angazhimin e saj politik me më shumë përkushtim, duke shprehur besimin se Partia Demokratike e Kosovës do të adresojë përgjegjësinë dhe llogaridhënien, ashtu siç ka bërë, sipas saj, edhe në të kaluarën.

“Demokracia është e shenjtë dhe është obligim i të gjithëve ta mbrojmë dhe ta kultivojmë”, ka përfunduar ajo.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika