LAJME

Hoti thërret protestë për përfshirjen e Kosovës në gazin amerikan

Hoti thërret protestë për përfshirjen e Kosovës në gazin amerikan
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Qershor 2026, 10:40

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për protestë me kërkesën që  Kosova të bëhet pjesë e projektit të gazit amerikan. Ai ka thënë se Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që mbetet jashtë këtij projekti.

Hoti ka theksuar se ky projekt po vazhdon të refuzohet nga qeveria në detyrë, pavarësisht insistimit të Administratës amerikane. Ndërkaq, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje duke e cilësuar si anti-amerikane.

“Arsyet e dhëna nga Qeveria e Kosovës për refuzimin e projektit të gazit janë të natyrës ekonomike dhe plotësisht të pabaza. Është deklaruar se projekti përmban rreziqe dhe se duhen informata shtesë për të vlerësuar nëse është ekonomikisht i leverdishëm. Është deklaruar se strategjia e re energjetike e Kosovës, parasheh ripërtëritjen e kapaciteteve ekzistuese me qymyr dhe krijimin e kapaciteteve të reja nga burime të ripërtërishme. Dhe së fundmi, shfaqet papritur edhe interesimi i Qeverisë për idenë e shndërrimit të qymyrit në gaz sintetik”, ka shkruar ai.

Hoti ka shtuar tutje se asnjëra nga këto arsyetime nuk bie ndesh dhe nuk e përjashton projektin e gazit amerikan.

“Ky projekt është plotësisht komplementar me të gjitha projektet energjetike të parapara nga Kosova, duke i mundësuar Kosovës diversifikimin e burimeve energjisë dhe sigurinë e plotë të furnizimit të pandikuar nga importi. Kështu që, projekti i gazit jo që nuk mund të refuzohet mbi baza ekonomike, por i ka në favor të gjitha argumentet ekonomike”.

Siç ka thënë Hoti tutje, duke mbetur e varur nga qymyri, Kosova në të ardhmen detyrohet të paguajë tarifë për emetim të karbonit, të cilat tarifa do t’i paguajnë qytetarët dhe bizneset përmes faturave më të shtrenjta të energjisë.

“Unë bëj ftesë që odat ekonomike, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit të bashkohen në protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe ruajtjes së aleancës së pacenueshme të popullit të Kosovës me popullin amerikan”, shkroi në fund ish-kryeministri.

Së fundmi është bërë thirrje që institucionet e Kosovës të veprojnë shpejt për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar si të domosdoshëm për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.

Madje, nga odat ekonomike në Kosovës është thënë se refuzimi i gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin me SHBA-në.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook më 28 maj, theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve energjetike të sigurta dhe të diversifikuara, si dhe për të tërhequr investime të ardhshme”.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika