Ministri në detyrë i Ministrisë për Punë, Familje dhe vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas kritikave lidhur me rastet e vdekjes së punëtorëve të KEK-ut në vendet e tyre të punës
Hoti ka kritikuar përdorimin e rasteve të tilla për përplasje politike.
Sipas tij, përgjegjësia për aksidentet duhet të përcaktohet pas hetimit dhe konstatimit të shkaqeve, e jo përmes deklaratave politike.
“Por, në asnjë rrethanë, tragjedi të tilla nuk duhet të keqpërdoren nga eksponentë politikë si mjet sulmi ndaj njëri-tjetrit”- ka deklaruar Hoti.
Ai është shprehur se aksidentet fatale të datave 8 korrik, 16 gusht dhe 20 gusht 2026 kanë ndodhur në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, përkatësisht në veprimtari minerare.
Sipas Hotit, mbikëqyrja e sigurisë në punë dhe hetimi i aksidenteve në veprimtarinë minerare janë kompetencë e Inspektoratit të Minierave, në kuadër të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), dhe jo e Inspektoratit Qendror të Punës.
“Aksidentet në vendin e punës mund të shkaktohen nga faktorë të ndryshëm dhe pikërisht për këtë ekziston hetimi dhe pikërisht për këtë përgjegjësia nuk mund të përcaktohet me deklarata politike, para se të jenë konstatuar faktet dhe shkaqet e secilit rast”- ka shkruar Hoti, të premten, më 21.08.2026.
Hoti ka bërë të ditur se edhe në rastin e fundit, Inspektorati Qendror i Punës, pas pranimit të informatës për aksidentin, ka angazhuar inspektorët dhe ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Pas inspektimit është konstatuar se aksidenti ka ndodhur në territorin e minierës së licencuar nga KPMM dhe, rrjedhimisht, trajtimi i tij bie në kompetencën e Inspektoratit të Minierave”- ka deklaruar Hoti.
Ministri në detyrë ka thënë se institucionet përgjegjëse duhet të hetojnë çdo rast dhe të përcaktojnë përgjegjësinë aty ku konstatohet neglizhencë, shkelje e rregullave të sigurisë apo përgjegjësi institucionale ose individuale.
Ai ka përmendur edhe masat e ndërmarra nga Inspektorati Qendror i Punës gjatë katër muajve të fundit, duke thënë se janë intensifikuar inspektimet dhe është shtuar fokusi në sektorët me rrezik të lartë.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë ndaluar punimet në mbi 180 vendpunishte.
Tutje, ministri në detyrë, ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit të ndjerë dhe familjet e punëtorëve të tjerë që kanë humbur jetën në vendin e punës,
Hoti ka kërkuar që, në raste të tilla, deklaratat publike të bazohen në fakte dhe kompetenca ligjore.