Ministria e Arsimit ende nuk e ka përfunduar procesin e verifikimit të të gjitha aplikimeve për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore.
Sipas Anita Kadriut, drejtoreshës së Departamentit të Arsimit Parauniversitar të Ministrisë së Arsimit, deri më tani 157 mijë e 333 prindërve u është aprovuar aplikimi për subvencionim.
Kurse, 1 mijë e 463 aplikime janë refuzuar.
Kadriu ka treguar se 186 mijë e 777 aplikime i kanë pranuar deri më sot, më 21.08.2026, prej tyre i kanë trajtuar 158 mijë e 796 aplikime.
“Po ju japim mundësinë edhe në vikend t’i verfikojnë aplikimet. Nga mesi i javës së ardhshme planifikohet të ekzekutohen mjetet e subvencionimit.”- ka thënë Kadriu.
Javën e kaluar Kadriu kishte deklaruar që verifikimi i aplikimeve për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore të përfundonte në mes të javës së ardhshme dhe këto të kalonin në një verifikim final nga një komision i veçantë i Ministrisë.
“Ky Komision e bën bartjen në Ministri të Financave për pagesa.”- kishte thënë Kadriu më 14.08.2026.
Sipas Kadriut, synojnë që këtë vit nxënësit të pajisen me të gjitha tekstet shkollore dhe mësimi të fillojë më 01.09.2026.
Kështu, ende nuk e kanë përcaktuar shumën se sa do t’ju ndahet nxënësve të klasave 1 deri 5 dhe atyre 6 deri 9 për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore.
Një ditë më parë, më 20.08.2026, Ministria e Arsimit u bëri thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore.
Kjo pasi Ministria tha se procesi i negocimit të çmimeve për tekstet mësimore me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar dhe se katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë.
Ministria e Arsimit këtë vit do t’i subvencionojë edhe nxënësit, prindërit e të cilëve nuk kanë lejeqendrim në Kosovë, por kanë vërtetim se nxënësi vijon mësimin në vend.
Qeveria në detyrë e Kosovës i ka ndarë mbi 14 milionë euro për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore për vitin 2026.