LAJME

“Hija e Babit” – vepër nga autorja e re Edona Rrustemaj-Paralangaj dedikuar mallit për babain e saj të ndjerë dhe fëmijërisë me shumë sfida

“Hija e Babit” – vepër nga autorja e re Edona Rrustemaj-Paralangaj dedikuar mallit për babain e saj të ndjerë dhe fëmijërisë me shumë sfida
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Qershor 2026, 11:10

22-vjeçarja nga fshati Çubrel i Skënderajt, Edona Rrustemaj – Paralangaj së fundmi ka botuar librin e saj të parë poetik “Hija e Babit”, një vepër e shkruar sipas saj, me zemër, e frymëzuar nga historia e saj personale dhe mungesa e babait që nga fëmijëria.

Ajo ka theksuar se ky libër nuk është thjesht një përmbledhje fjalësh, është historia e jetës së saj, e shkruar me lot të heshtur, me dhimbje që janë bartur me vite dhe me forcë që është ndërtuar ngadalë.

“Është zëri im, i rritur mes mungesës dhe dashurisë, mes humbjes dhe shpresës. Çdo faqe mban një copë të shpirtit tim, një copë të së kaluarës. Babai im ishte shtylla jonë. Ikja e tij nga kjo botë e la familjen tonë të zbrazët, por jo të thyer. Ai nuk është më pranë me trup, por është gjithmonë me mua në çdo vendim që marr, në çdo hap që hedh. Mungesa e tij më mësoi shumë herët se jeta nuk të pyet kur të sfidon, por të provon sa e fortë je” – thotë ajo.

Autorja u shpreh tutje se ky libër është edhe një mënyrë për ta mbajtur gjallë emrin e babait të saj, kujtimin e tij dhe dashurinë që nuk u shua kurrë.

“Mami ime është heroina ime e heshtur. Ajo na rriti në kushte të vështira, pa u ankuar kurrë, pa e ulur kokën para jetës. Me duart e saj ka punuar pa lodhje, ka qendisur me dorë, ka dhënë shumë mund që ne të kishim bukë, ngrohtësi dhe dinjitet. Çdo fijë që ka qepur ka qenë një lutje për ne, çdo natë pa gjumë ka qenë një sakrificë që sot e kuptoj me zemër. Ajo nuk na dha vetëm jetë, por na mësoi si të qëndrojmë të fortë edhe kur gjithçka duket e pamundur” – u shpreh Rrustemaj – Paralangaj.

Ajo shtoi se vëllezërit e saj ishin shumë të vegjël kur babai u nda nga jeta, dhe se jeta i detyroi të rriten më shpejt se mosha e tyre.

Sipas autores, ata me kohën, u bënë mbështetje për njëri-tjetrin, u rritën mes sfidave, por gjithmonë me dashuri.

“Motrat e mia më të mëdha ishin krahët e mi, forca ime në heshtje, shembulli që më tregoi se edhe femra, edhe fëmija, mund të mbajë barrë të rëndë e prapë të qëndrojë në këmbë” – shtoi ajo.

Autorja e re theksoi se në këtë përvjetor të vdekjes së babait të saj, nuk i solli lule më shumë se vitet e tjera, por solli një libër, solla fjalët që nuk arriti t’i thojë për vite me radhë.

“Hija e Babit është dhurata ime për ty. Ndoshta bota po e njeh sot, por unë besoj se ti e ke njohur shumë më herët, sepse çdo shkrim ka filluar me emrin tënd dhe ka përfunduar te malli për ty” – u shpreh në fund Rrustemaj – Paralangaj.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika