Për herë të parë në Zvicër një mace ka rezultuar pozitive për koronavirus. Macet, si qentë, megjithatë nuk besohet se luajnë një rol të madh në përhapjen e virusit
Sipas Zyrës Federale për Sigurinë e Ushqimit dhe Çështjeve Veterinare (BLV), rasti u raportua nga laboratori i mjekësisë veterinare në Universitetin e Cyrihut. Macja ishte testuar në kontekstin e një projekti kërkimor dhe vinte nga një familje me një person i cili gjithashtu kishte rezultuar pozitiv.
Raste të tjera të izoluara të infeksioneve me koronavirus në kafshë shtëpiake janë raportuar në vende të tjera. Pothuajse të gjithë kafshët shtëpiake të infektuara vinin nga familje me individë të cilët rezultuan pozitivë për Covid-19, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.





