Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se qytetarët do t’i gjykojnë veprimet e politikanëve, si përgjigje për ikjen e ish-deputetëve të Listës Guxo nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe stacionimit të tyre në listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike (LDK).
Ajo tha se ashtu siç qytetarët kanë dhënë vlerësim në dy palë zgjedhjet e vitit të kaluar, do të japin edhe sivjet më 7 qershor.
“Janë qytetarët e Kosovës ata që do t’i vlerësojnë veprimet e partive politike ose të individëve brenda partive politike. Njësoj ka ndodhur edhe në dhjetor të vitit 2025, njësoj do të ndodhë edhe më 7 qershor të vitit 2026. Meqenëse jemi në prag të këtyre zgjedhjeve, më së miri do të flasin qytetarët dhe më së miri ata i gjykojnë veprimet tona politike”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar se përfshirja e saj në listën zgjedhore të LVV-së, duke qenë njëkohësisht ushtruese e detyrës së presidentes, nuk është në kundërshtim me ligjin, por shtoi se gjatë kohës së fushatës do të jetë e kujdesshme të mos keqpërdorë resurset e Institucionit të Presidencës.
“Do të përpiqem maksimalisht që të jem e kujdesshme në raport me fushatën zgjedhore në kuptimin që të mos ketë ndonjë ndërhyrje ose përdorim të institucionit për fushatë. Kjo është e ndaluar. Ju shumë mirë e dini që edhe ligji ka ndalesa në raport me këtë”, ka thënë Haxhiu.
Si ushtruese e detyrës së presidentes, Haxhiu ka në përgjegjësi, ndonëse të trashëguar, ta emërojë anëtarin e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që LVV-ja thekson se i takon asaj, e njësoj edhe PDK-ja.
Megjithëse zgjedhjet do të mbahen më 7 qershor, Haxhiu tha se nuk ka nevojë për nguti që të emërohet ky anëtar, pasi tha se përbërja aktuale nuk lë keq asgjë brenda institucionit.
“KQZ, siç e dini, i ka 11 anëtarë përfshirë edhe kryesuesin e KQZ-së, por për momentin janë 10 anëtarë dhe nuk rrezikohet asgjë me këtë përbërje. Prandaj edhe unë jam interesuar edhe sa i përket kësaj çështjeje në raport me vendimet me dy të tretat, vendimet që votohen me shumicë të thjeshtë, por meqë nuk ka asgjë që rrezikohet nga kjo përbërje nuk e kam konsideruar që duhet të ngutem në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
E për ata që tha se mund të kenë vërejtje apo kundërshtime për veprimet e saj, i udhëzoi që të ankohen në institucionet kompetente.