LAJME

Haxhiu fton në takim liderët e partive

Haxhiu fton në takim liderët e partive
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Gusht 2026, 16:02

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim të përbashkët të martën, në ora 09:00, ka mësuar KOHA. 

Sipas thirrjes, takimi synon të kontribuojë në dialogun politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.

Thirrja e Haxhiut ndodh një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës hoqi dorë nga partneriteti potencial për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen dhe bëri thirrje për kandidatura konsensuale për president. Këtë thirrje të LDK-së e ka mirëpritur të premten kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Edhe ai ka bërë thirrje që në tryezë për të diskutuar për figurë unifikuese të ulen edhe dy partitë tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.

Të premten e shkuar ka qenë afati i fundit i definuar nga Gjykata Kushtetuese, brenda të cilit duhej të konstituohej legjislatura e njëmbëdhjetë. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.

LDK-ja ishte partia e vetme që negocioi me Vetëvendosjen. Dy partitë tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca refuzuan takimet me kryetarin e VV-së, Albin Kurti.

LDK-ja në vazhdimësi ka bërë thirrje që të ketë “balancë pushtetesh” duke kërkuar postin e presidentit. Por Kurti e pati vlerësuar kërkesën si “diskrepancë të madhe” me rezultatin zgjedhor të LDK-së më 7 qershor. Partia e Abdixhikut i ka siguruar 18 ulëse në Kuvend, pasi sërish doli parti e tretë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika