LAJME

Oda Amerikane bën thirrje për përgjegjësi politike dhe për t’i dhënë fund bllokimit institucional

Oda Amerikane bën thirrje për përgjegjësi politike dhe për t’i dhënë fund bllokimit institucional
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Gusht 2026, 13:04

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar sërish duke shprehur atë që e ka quajtur si “shqetësimin të thellë” lidhur me “bllokimin e vazhdueshëm politik dhe institucional, si dhe skenat e papranueshme brenda Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë konfrontimet verbale dhe fizike ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, si dhe incidentet ndërmjet qytetarëve vizitorë në sallën e Kuvendit”.

“Kuvendi duhet të mbetet një vend i debatit demokratik, dinjitetit institucional dhe respektit për qytetarët. Mospajtimet politike, sado të thella, nuk mund të arsyetojnë sjelljen që minon besimin e publikut në institucionet demokratike të Kosovës”, thuhet në komunikatën e OEAK.

Kjo odë, megjithëkëtë vlerëson se derisa të gjitha partitë parlamentare mbajnë përgjegjësi për të kontribuar në mënyrë konstruktive në një zgjidhje, përgjegjësia nuk është e barabartë.
Forca politike, të cilës i është besuar numri më I madh I mandative nga votuesit mban përgjegjësinë kryesore për krijimin e kushteve të nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve funksionale. Fitorja zgjedhore sjell jo vetëm të drejtën për të udhëhequr, por edhe përgjegjësinë për të mundësuar funksionimin e institucioneve.

Sipas kësaj Ode, kriza e tejzgjatur politike tashmë po bart kosto të konsiderueshme ekonomike dhe sociale. “Pasiguria institucionale dobëson besimin e investitorëve, vonon vendimet për investime të brendshme dhe të jashtme, ngadalëson reformat dhe projektet infrastrukturore, kufizon qasjen në financa ndërkombëtare dhe rrjedhimisht ndikon në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Kosova nuk mund të përballojë humbjen e mundësive të mëtejme për shkak të paralizës politike”, thotë Oda.

Po aq shqetësuese, sipas OEAK, është funksionimi i zgjatur i një qeverie në detyrë në mungesë të një Kuvendi të konstituuar.
“Mungesa e kontrollit parlamentar, llogaridhënies dhe kontrollit institucional për një periudhë të zgjatur rrit rreziqet e keqpërdorimit të resurseve publike, dobëson transparencën dhe krijimin e kushteve për korrupsion potencial e forma të tjera të abuzimit institucional. Kjo përbën një shqetësim serioz jo vetëm për qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit, por edhe për mjedisin e biznesit dhe investimeve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

OEAK gjithashtu shkruan se i merr seriozisht thirrjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara drejtuar udhëheqësve politikë të Kosovës për krijimin e institucioneve funksionale në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe vërejtjet se bllokimi i vazhdueshëm po i humbet Kosovës mundësi të mëdha.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika