LAJME

Kurti: S’është pak që Abdixhiku të bëhej zëvendës i imi e ta kishin kryetarin e Kuvendit

Kurti: S’është pak që Abdixhiku të bëhej zëvendës i imi e ta kishin kryetarin e Kuvendit
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Gusht 2026, 11:51

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për ofertat që ia ka bërë Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku tha se ia kanë ofruar kryeparlamentarin, e cila më pas ishte refuzuar, raporton KosovaPress.

Kurti tha se LDK-ja e ka konsideruar këtë pozitë si ceremoniale, e për të cilën ofertë tha se partia e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku është dashur ta pranojë e jo ta refuzojë, pasi sipas tij, me 18 deputetë nuk është pak ta marrësh kryetarin e kuvendit.

“Ne ia kemi ofruar LDK-së kryeparlamentarin, gjithashtu kam deklaruar edhe në takime edhe jashtë tyre që ne jemi për president konsensual. Pra, nga tri pozitat e larta shtetërore, VV-ja tashmë ka zbritur në vetëm një, të kryeministrit. Presidenti konsensual, kryeparlamentarin LDK-ja. Pozita e kryetarit të kuvendit është refuzuar nga LDK-ja, është konsideruar ceremoniale. Unë besoj që është dashur që ta marrin atë pozitë. E ndjeka edhe mbrëmë qëndrimin dhe deklaratën publike të mikut tim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili tha se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje, ta kemi një marrëveshje politike. Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve, 53 me 18, por edhe deformim i rezultatit nuk mund të jetë. Pra, me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e kuvendit nuk është pak”, tha Kurti pas ceremonisë së diplomimit të 100 kadetëve të rinj të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Tutje, Kurti tregoi se kur e panë që LDK-ja nuk janë të interesuar për kryetarin e kuvendit, VV-ja e përsëriti ofertën e pranverës, që në rast se presidenti të jetë nga VV-ja, atëherë LDK-së t’i takojnë katër ministri dhe zëvendëskryeministri, ndërsa nëse kandidati për president është konsensual, atëherë LDK-së t’i takojnë tri ministri dhe zëvendëskryeministri.

Kurti tha se oferta për kryeparlamentar për LDK-në dhe për bashkëqeverisje, ku Abdixhiku do të bëhej zëvendës i tij, nuk do të ishte pak për ta.

“Kur e pamë që nuk janë të interesuar për kryetarin e kuvendit, oferta  jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani. Me fjalë të tjera, nëse VV-ja do ta kishte kandidatin për president, e që ju e dini se ishte Glauk Konjufca, atëherë LDK-ja ta marr zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Ndërkaq, nëse kandidati për president është konsensual, ta marr zëvendëskryeministrin dhe tri ministri, sepse VV-ja po heq dorë prej presidentit dhe ta kenë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri. A nëse është Glauku, atëherë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Unë besoj që edhe oferta për kryeparlamentar për LDK-në edhe kjo për bashkëqeverisje ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ta zëmë, bëhet zëvendës i imi në qeveri nuk është pak. Ky nuk është pak edhe nëse rezultati do të ishte edhe më i ngushtë, lëre më që ishte 53 me 18. Tash unë e përshëndes thirrjen e kryetarit Abdixhiku që edhe partitë e tjera të jenë gjithëpërfshirëse për presidente. Dhe me këtë ide, unë mbrëmë i kam shkruar të tre kryetarëve të partive, atij të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës që sa më parë të takohemi dhe të merremi vesh për presidentin”, tha Kurti, raporton KosovaPress.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika