Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve prodhuese, marketeve dhe subjekteve të tjera që tregtojnë produkte të qumështit që menjëherë të tërheqin nga tregu produktet e konstatuara si të papërputhshme, bazuar në raportet zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
IQMT ka njoftuar se, në kuadër të kompetencave të përcaktuara me ligj, nga sot do të intensifikojë kontrollet në të gjitha subjektet që merren me tregtimin e produkteve të qumështit.
Sipas njoftimit, bizneset ku gjatë inspektimeve do të konstatohet prania e produkteve të qumështit me mospërputhje, të cilat nuk janë tërhequr nga tregu sipas kërkesës së inspektorëve, do t’i nënshtrohen masave ndëshkuese.
Në bazë të nenit 14 të Ligjit Nr. 08/L-279, personat juridikë që nuk eliminojnë parregullsitë e konstatuara nga inspektori brenda afatit të përcaktuar ose nuk veprojnë sipas kërkesave të tij mund të gjobiten nga 3 mijë deri në 9 mijë euro.
IQMT ka theksuar se mos tërheqja nga tregu e produkteve të konstatuara si të papërputhshme, përfshirë ato me përmbajtje të padeklaruar, përbën shkelje të kërkesave ligjore dhe cenon interesat dhe të drejtat e konsumatorëve.
“Për këtë arsye, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, (MINTI) përmes IQMT-së, do të intensifikojë edhe më shumë kontrollet në treg, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të respektimit të kërkesave ligjore”, thuhet në njoftim.
IQMT u ka bërë thirrje bizneseve që të veprojnë menjëherë dhe me përgjegjësi, duke tërhequr nga tregu produktet e identifikuara si të papërputhshme dhe duke respektuar kërkesat e institucioneve kompetente.
“Mbrojtja e konsumatorit dhe siguria e produkteve në treg janë përgjegjësi e përbashkët”, theksohet në njoftim.





