Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
“Kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve tona.
Ajo do të sjellë përfitime të ndërsjella dhe do të hapë dyer të reja për bashkëpunime të ardhshme”- ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Pro kësaj marrëveshje kanë votuar 86 deputetë në seancën e Kuvendit të mbajtur më 23.05.2024.
Lidhur me këtë marrëveshje, deputetët e Partisë Demokratike ndryshuan qëndrim. Javën e kaluar ata votuan kundër, ndërsa sot të njëjtit votuan pro kësaj marrëveshjeje.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se sipas këtij traktati Kosova do të vë në dispozicion kapacitete për 300 të burgosurë të Danimarkës.
“Kosova do të përfitojë tarifë vjetore fikse për shfrytëzimin e burgut prej 15 milionë euro dhe 6 milionë euro për energji të gjelbër”- tha ajo.
Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, ka dështuar të ratifikohet, më 16.05.2024 në Kuvendin e Kosovës.
Para fillimit të seancës, me shtatë vota për dhe me dy abstenime ishte miratuar ky projektligj nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe Hajdar Beqa, abstenuan, kurse deputetët e Lëvzjes Vetëvendosje, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputeti Erxhan Galushi, votuan pro.
Projektligji u kthye në Komision pas vendimit të fundit të Qeverisë më 20.05.2024, e cila në një mbledhje elektronike e miratoi këtë projektligj.
Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar letër-pëlqim për sjelljen e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti është shndërruar në traktat. Qeveria e Kosovës ka miratuar më 07.06.2023 projektligjin për Ratifikimin e këtij traktati.
Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty parashihet që Danimarka të marr në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit. Në këmbim të kësaj, Kosova parashihet të ketë një përfitim prej mbi 200 milionë euro.
/KALLXO.Com/