Kryetari i AAK-së dhe ish-Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është kundër mbylljes totale të vendit dhe kundër menaxhimit të pakontrolluar të pandemisë.
Haradinaj në Facebook ka bërë disa sugjerime ndërsa ka deklaruar se ato janë bërë duke analizuar shumë indikatorë.
“Çdo sugjerim, kërkesë dhe rekomandim i imi dhe i Aleancës për menaxhimin e pandemisë është dhënë duke analizuar shumë indikatorë, veçanërisht kapacitetet tona shëndetësore, nivelin e zhvillimit ekonomik dhe kushtet e rënda të operimit të sektorit privat”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka qartësuar se asnjëherë nuk ka kërkuar operim të pakontrolluar, por hapje të kontrolluar me masa adekuate, të cilat nuk lejojnë shpërndarje të virusit, por as nuk e mbyllin ekonominë.
“Asnjëherë nuk kemi kërkuar operim të pakontrolluar, përkundrazi kemi kërkuar hapje të kontrolluar me masa adekuate, të cilat nuk lejojnë shpërndarje të virusit dhe nuk e mbyllin ekonominë, si dhe masa lehtësuese përmes financimit direkt për çdo sektor dhe aktivitetet ekonomik që ka vështirësi!
Sugjerimet e Haradinajt për Qeverinë Kurti:
Ekonomi:
– subvencionim financiar sektorial për aktivitetet e prekura direkt;
– subvencionim i aktiviteteve prodhuese;
– subvencionim i eksportit; dhe
– subvencionim i industrisë së shërbimeve, potencial për eksport dhe punësim.
Aktivitetet operative:
– Zgjerimi i kapaciteteve shëndetësore, profesionale dhe teknike;
– Angazhim i vullnetarëve;
– Ekipet mobile për trajtim në shtëpi;
– Trajtimi me qëndrim në kapacitetet private;
– Furnizim me barna të nevojshme për të gjithë të prekurit; dhe
– Hapja e spitaleve provizore.
Mbështetja financiare për personelin e angazhuar:
– Shtesat për personelin shëndetësor;
– Shtesat për policinë dhe inspektorët; dhe
– Honoraret për vullnetarët” – ka vazhduar Haradinaj duke e mbyllur shkrimin me “JO mbyllje totale, JO menaxhim i pakontrolluar!”.