Mëngjesin e së premtes, më 13.09.2024, Policia e Kosovës ka rrethuar me shirit hapësirën rreth objektit të komunës së Mitrovicës së Jugut.
Sipas informatave të para, dyshohej se ishte lënë një valixhe brenda oborrit të kësaj komune.
Në vendin e ngjarjes u panë pjesëtarë të Njësisë për deminim të cilët kontrolluan valixhen.
Rreth 10 minuta më pas, shiriti që iu vendos objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut nisi të hiqej nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti e ka konfirmuar informatën se kishte të bënte me një valixhe që ndodhej në objektin e Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe se kanë ndërmarr të gjitha veprimet për ta kontrolluar valixhen.
Valixhja që ishte në objektin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Zahiti thotë se u kontrollua nga Njësia e Specializuar për menaxhimin me mjetet shpërthyese dhe doli të mos ketë të bëjë me ndonjë gjë të dyshuar.
“Pas informatës së pranuar, Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme si dhe kontrollin e detajuar të valixhes ështe bërë nga ana e Njësive të Specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se në valixhe nuk ka të bëjë me ndonjë gjë të dyshuar. Pas përfundimit të ekzaminimit rruga është liruar për qarkullim” – është përgjigjur Zahiti, më 13.09.2024.