LAJME

Hamza: U takuam sërish me Kurtin dhe dje u miratua Grupi Punues për çlirimtarët, tani fondet për mbrojtjen e tyre janë çështje urgjente

Hamza: U takuam sërish me Kurtin dhe dje u miratua Grupi Punues për çlirimtarët, tani fondet për mbrojtjen e tyre janë çështje urgjente
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Tetor 2026, 11:51

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka deklaruar se janë bërë disa ditë që Kosova i është rikthyer normalitetit institucional, por sipas tij ky normalitet s’do të thotë se kanë përfunduar sfidat përkundrazi.

Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, Hamza tha se rikthimi i normalitetit institucional nuk nënkupton përfundimin e sfidave të shtetit, duke e cilësuar procesin gjyqësor në Hagë si një prej çështjeve që prekin themelet e tij.

Ai kujtoi se Kuvendi ka miratuar një rezolutë me 99 vota dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara me 88 vota, i cili, sipas tij, e rikthen këtë institucion brenda mandatit që i është dhënë nga Kuvendi i Kosovës.

“Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer. Ligjin e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çfarëdo pale”, deklaroi Hamza.

Ai theksoi se Kosova nuk ua ka deleguar sovranitetin e saj Dhomave të Specializuara apo ndonjë trupi tjetër gjykues dhe se Kuvendi ka të drejtën të miratojë ligje për mbrojtjen e vlerave dhe të luftës çlirimtare.

“Nëse dikush shqetësohet, duhet të shqetësohet për padrejtësitë në Hagë dhe jo për nismat ligjore të Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Hamza i cilësoi të papranueshme ndërhyrjet dhe presionin ndaj ushtrimit të mandatit të Kuvendit, si dhe presionin diplomatik ndaj institucioneve të drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese. Ai kërkoi që të merren seriozisht shqetësimet për të drejtat e të akuzuarve në Hagë, duke iu referuar edhe Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Angli dhe Uells.

Duke folur për procedimin e ligjit, Hamza tha se beson që sot është dita e fundit e afatit ligjor që Kuvendi ta dërgojë atë te Presidentja për dekretim.

“Besoj shumë se edhe Presidentja do ta dekretojë atë pa vonesa”, u shpreh ai.

Kreu i PDK-së kërkoi nga presidentja Shiroka-Pula angazhim të vazhdueshëm për procesin në Hagë dhe komunikim me partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe të së vërtetës historike të luftës çlirimtare.

Hamza bëri të ditur se është takuar sërish me kryeministrin Albin Kurti para dy ditësh dhe se, si rrjedhojë e diskutimeve, dje është miratuar themelimi i Grupit Punues për Strategjinë Shtetërore për Mbrojtjen e UÇK-së në fazën e apelit.

“Ky është një hap i mirë. Por tani duhet të kalojmë nga vendimet te veprimet”, deklaroi ai.

Sipas Hamzës, strategjia duhet të përmbajë përgjegjësi të qarta, afate konkrete dhe rezultate të matshme. Ai theksoi se mbrojtja juridike dhe mbrojtja e së vërtetës historike në arenën ndërkombëtare janë detyra të ndryshme, por duhet të ecin të koordinuara.

Ai kërkoi që ekipet mbrojtëse ta zhvillojnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale, ndërsa shteti të sigurojë mbështetjen e nevojshme institucionale.

Hamza e cilësoi urgjente edhe rritjen e fondeve për mbrojtjen juridike të ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Po ashtu, një çështje tjetër urgjente është edhe rritja e fondeve për mbrojtjen juridike të ish-udhëheqësve të UÇK-së”, shtoi ai.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika