Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se kryetari i Nismës Fatmir Limaj do ta mbështesë PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit, duke e cilësuar këtë si më shumë se një mbështetje zgjedhore dhe si hap drejt bashkëpunimit afatgjatë.
Hamza theksoi se me Limajn i lidhin vlera, ideale dhe përgjegjësia për vendin, ndërsa shtoi se Kosova ka nevojë “më shumë se kurrë” për bashkim, seriozitet dhe bashkëpunim në interes të qytetarëve.
“Po, Fatmir Limaj do ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit – dhe jo vetëm. Me Fatmirin na kanë bashkuar vlera, ideale dhe përgjegjësia për vendin”, ka shkruar Hamza.
Sipas tij, elektorati i PDK-së dhe ai i NISMA-s ndajnë vlera të njëjta, teksa mbështetjen e Limajt e quajti një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi politik, institucional, qeverisës dhe partiak, “për stabilitet, zhvillim dhe një Kosovë më të fortë”.
Hamza e falënderoi Limajn për, siç u shpreh, korrektësinë, mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve në Kosovë dhe diasporë që më 7 qershor “bashkë t’i thonë STOP krizës” dhe të sjellin ndryshimin.