LAJME

Hajdari kundërshton pretendimet e PDK-së lidhur me faturimin e energjisë elektrike

Hajdari kundërshton pretendimet e PDK-së lidhur me faturimin e energjisë elektrike
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Prill 2026, 10:26

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, ka kundërshtuar kërkesën e PDK-së për seancë të jashtëzakonshme lidhur me çmimet e energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si të bazuar në një interpretim të thjeshtuar të situatës.

Gjatë seancës së thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdari tha se pretendimet për manipulim të faturimit dhe mosmatje të saktë nga njehsorët janë të ngritura si bazë për kërkesën, por sipas saj, realiteti është më kompleks.

“Kërkesa e PDK-së për seancë të jashtëzakonshme ndërtohet mbi pretendimin se njehsorët nuk matin saktë, se faturimi është i manipuluar dhe se ekziston përfitim i planifikuar në dëm të qytetarëve, duke kërkuar përgjegjësi institucionale” – tha Hajdari.

Ajo theksoi se çmimi i energjisë nuk është rezultat i një faktori të vetëm.

“Çmimi i energjisë nuk është rezultat i një elementi të vetëm, aq më pak i njehsorit elektrik. Kemi të bëjmë me një realitet kompleks”- u shpreh ajo.

Sipas saj, çështja duhet të trajtohet nga institucionet përkatëse.

“Dukuria duhet të hetohet dhe këtë po e bëjnë organet kompetente, ndërsa kërkesa e PDK-së tenton ta reduktojë një sistem kompleks në një narrativë të thjeshtë për manipulim të njehsorëve” –  deklaroi Hajdari.

Kuvendi i Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë e rendit të ditës: çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur intervistimet në terren lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë.

Më 07.04.2026, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në cilësinë e dëshimtarit ka dorëzuar në Polici dëshmi rreth çështjes me njehsorët elektrikë.

“Unë jam ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqitë dëshmitë e mia dhe të qytetarëve. Jam në proces të dëshmisë dhe po e jap deklaratën time si dëshmitar dhe duke besuar në Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës, Gjykatën e  Kosovës, shpresoj që kjo të merr zgjidhjen e merituar”- ka thënë Azemi më 07.04.2026.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar më 27.03.2026 dëshmitë për çka pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.

KEDS kishte reaguar në raport me pretendimet e Visar Azemit se njehsorët e energjisë elektrike e masin kohën gabimisht dhe kishin garantuar se matjet janë të sakta, të besueshme dhe transparente./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika