Pas rasteve të fundit të raportuara që ndërlidhen me çështjen e sigurisë së përgjithshme në vend, ku përfshihen veprat penale si grabitjet e armatosura, vjedhjet, lëndimet e rënda trupore e deri tek incidentet e shkaktuar nga shpërthimi i bombolave të gazit, sot nën drejtimin e drejtorit të Operacioneve të Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha në dy takime të ndara janë mbledhur akterë nga institucione të ndryshme të vendit.
Në të dy takimet e mbajtura, njëri me përfaqësues të Bankës Qendrore, Shoqatës së Bankave dhe Kompanive të Sigurimit Privat dhe tjetri me përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, përfaqësues nga Inspektorati për Energji nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, u diskutuan dhe shqyrtuan veprimet e mëtejme, masat që duhet ndërmerren dhe adresimi i çështjeve në fushat e kompetencës respektive në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Në këto takime morën pjesë edhe përfaqësues nga Divizioni për Siguri Publike i PK-së, Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë në Policinë e Kosovës si dhe nga Drejtoritë Rajonale Policore.






