Një grabitje e armatosur ka ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se njëri nga të dyshuarit është arrestuar, teksa është identifikuar edhe i dyshuari i dytë dhe policia është në kërkim të tij.
“Sot rreth orës 12:30 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku”në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar/maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash.
Policia po kryen veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.