Sot në Prishtinë është grabitur njëri prej filialeve të bankës BKT në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.
Grabitja është kryer nga tre persona të armatosur.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Shoqata e Bankave të Kosovës.
Në reagimin e tyre thuhet se Shoqata e Bankave të Kosovës e dënon këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të jenë më të përkushtuara për parandalimin, ndjekjen dhe zbulimin e këtyre rasteve.
Sipas tyre në vitet e fundit sektori bankar është ballafaquar me numër të lartë të sulmeve të armatosura, gjë që paraqet një shqetësim serioz për këtë sektor.
Reagimi i plotë:
Në mëngjesin e ditës së sotme është sulmuar një filial i një banke komerciale, me ç‘rast është kryer grabitje e armatosur, duke tronditur stafin, klientët e bankës dhe qytetarët në vendin e ngjarjes.
Shoqata e Bankave të Kosovës e dënon këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të jenë më të përkushtuara për parandalimin, ndjekjen dhe zbulimin e këtyre rasteve dhe njëkohësisht kërkojmë që institucionet e drejtësisë të sigurojnë faktet e nevojshme për të shqiptuar dënimet më të larta sipas ligjit të cilat do të dekurajonin këto sulme që cenojnë rëndë jetën dhe pronën në Kosovë.
Në vitet e fundit sektori bankar është ballafaquar me numër të lartë të sulmeve të armatosura, gjë që paraqet një shqetësim serioz për këtë sektor. Siguria e bizneseve për të afaruar lirshëm është e garantuar dhe duhet të mbrohet me çdo kusht nga institucionet e sigurisë, prandaj kërkojmë veprime konkrete dhe të menjëhershme nga autoritetet përkatëse për të ofruar një ambient të sigurt për bizneset dhe qytetarët në Kosovë.