Më 7 korrik 2021 ka ndërruar jetë Fazli Veseli, babai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Veseli nuk ka marrë pjesë për shkak se gjendet në paraburgim në Hagë.
Lidhur me këtë çështje, gazeta “Epoka e re” ka pyetur Gjykatën Speciale se cilat janë arsyet se pse nuk e kanë lejuar pjesëmarrjen e Veselit në ceremoninë e varrimit të babait të tij. Po ashtu, gazeta ka pyetur Specialen se a do ta lejojë Veselin që të vjen në Kosovë së paku për ngushëllime.
Zyra për Informim e Gjykatës Speciale ka thënë se paneli pranë kësaj gjykate do të vendos për kërkesa të kësaj natyre, por nuk ka treguar nëse Veseli do të lirohet përkohësisht.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek paneli kompetent (gjykatësi/t) kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendos për kërkesa të tilla. Të gjitha parashtrimet publike të paraqitura nga mbrojtja dhe vendimet e marra nga paneli publikohen në faqen e internetit të DHSK-së”, është thënë në përgjigjen me shkrim të Gjykatës Speciale.