Gjykata e Elbasanit ka vendosur të mbajë në burg shtetasin turk Faruk Fatih Ozer, i cili u arrestua më 30 gusht pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim.
Në seancën e sotme, avokati kërkoi që klienti i tij të mos ekstradohet drejt Turqisë me arsyetimin se atje i rrezikohet jeta.
Avokati mbrojtës pretendoi se shumica e personave që u janë marrë partë nga riu, u janë kthyer shumat.
Bosi i kriptomonedhave Faruk Fatih Ozer, i cili ishte shpallur në kërkim që prej një viti nga Turqia, ndërsa dyshohej që prej asaj kohe fshihej në vendin tonë. 28-vjeçari turk u arrestua në Himarë 3 ditë më parë.
Mësohet se i riu ka pasur një kompani turke në të cilën ftonte biznesmenë të ndryshëm të investonin në kriptomonedha dhe më pas është zhdukur duke marrë përfitime që i kalojnë 20 mln dollarë.
Policia njoftoi se i riu akuzohet për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Dy persona të tjerë, një banues në Tiranë dhe një në Durrës u shoqëruan gjithashtu për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar. /Telegrafi/