Gjykata Komerciale do të jetë në funksion brenda dy muajve nëse realizohet zotimi i kreut të Qeverisë, Albin Kurti dhënë ditë më parë.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e fundit me shumicë votash e ka zgjedhur Mahir Tutulin në krye të kësaj gjykate.
Ndërsa, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se Gjykata Komerciale është shumë e domosdoshme ngase do të merret me kontekstet ekonomike e shkeljet e të drejtave të punëtorëve.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini ka thënë se Gjykata Komerciale do të rrisë besueshmërinë nëse brenda këtij institucioni do të ketë ekspertë të fushës.
Prandaj sipas tij, çdo gjykatës i Komerciales duhet të kalojë një fazë të trajnimeve e testeve për ta përvetësuar çështjen e zgjedhjeve të kontesteve ekonomike.
“Tashmë është bërë një Gjykatë Themelore së fundi edhe Gjykata Komerciale, e cila është shumë e rëndësishme për zgjedhjen e kontesteve mes operatorëve ekonomikë në Kosovë. Kjo rrit besueshmërinë nëse aty do të jenë ekspertë të fushës të gjyqësisë që e njohin spektrin ekonomik dhe atë juridik. Çdo gjykatës duhet të kalojë një fazë e cila është një fazë e trajnimeve në këtë fushë. Besoj që secili mund të përvetësojë këtë punë dhe secili mund të jetë gjykatës i suksesshëm nëse kalon fazat testuese, fazat trajnuese për çështjen e zgjedhjeve të kontesteve ekonomike”.
Shahini tha se një gjykatë e tillë do të ndihmojë në rritjen e investimeve të huaja në Kosovë.
“Natyrisht që kjo është edhe një shkallë e besueshmërisë dhe rritjes së besimit në gjyqësinë e Kosovës në kontestet e operatorëve ekonomikë qoftë të huaj, qoftë të brendshëm sepse shumica e investitorëve të huaj janë të lidhur me biznese të Kosovës. Ka raste kur ata kanë konteste kjo do të jetë një mundësi e re, mundësi e mirë për besueshmërinë dhe rritjen e investimeve dhe investitorëve të huaja që të vijnë në Kosovë sepse këtu ekzistojnë shkallët e mjaftueshme të zgjedhjeve të çështjeve kontestimore mes operatorëve dhe bizneseve në Kosovë”, tha ai.