Më shumë telashe sesa një hetim për shpëlarje parash, një biznesmeni në Prizren po i shkakton bllokimi që Gjykata ia ka bërë disa prej pronave të tij të trashëguara. Kjo pasi ai thotë se mbi ato prona që janë të shitura prej vitesh, e veç figuron si pronar për shkak të neglizhencës për kryerjen e procedurave të nevojshme, sot ka disa shtëpi banimi. Për këtë, thotë se pronaret e atyre shtëpive, që janë fqinj të tij, i “kanë rënë në qafë”.
Shtatë parcela pronash të trashëguara familjare i janë bllokuar prej muajsh nga Gjykata Themelore e Prishtinës Hajredin Gushit nga Prizreni.
Kjo pasi biznesmeni prizrenas, ish-pronar i kazinove në Kosovë, po hetohet nga Prokuroria Speciale për “pastrim të parave”. Atij në total, Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale i ka ngrirë 14 prona në total.
Por, 7 prej tyre, Gushit po i shkaktojnë telashe të mëdha personale.
Ai ka treguar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se 7 parcelat tokë që ndodhen në lagjen Bazhderhane të Prizrenit, janë prona të trashëguara të familjes, e jo të blera apo krijuara gjatë periudhës për të cilën ai po hetohet për pastrim parash.
Për këto shfaqë edhe dokumente si dëshmi. Tutje, Gushi tregon se mbi ato prona tash ndodhen shtëpi banimi, pasi të njëjtat i ka shitur prej kohesh familja e tij, dhe vetëm për shkak se nuk janë kryer të gjitha obligimet procedurale, parcelat kanë mbetur ende të figurojnë në emrin e tij në librat kadastral të komunës së Prizrenit.
“Këto toka i kam pas të trashëguara nga babagjyshi, edhe 80% e tyre janë të shitme që 40 vjet”, thotë ai.
Ndaj, sipas tij, tash i janë krijuar probleme të mëdha edhe me banorët e shtëpive që ndodhen në këto prona.
“Me kanë qit shumë telashe me kojshi, se tokat i ka shit babagjyshi që 40 vjet. Më kanë hyp në qafë, po kujtojnë se i kam lan hipotekë najkun e mi kan blloku”, rrëfen Gushi për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.
“S’po më beson kerkush se Prokuroria po supozon se i kam ble unë se ata e dinë se që 100 vjet ato toka janë të familjes sonë”, tregon ai, duke dëshmuar me procesverbale gjyqësore të vitit 1989 se si pronat në fjalë janë bartur nga familjarët e tij tek ai, si trashëgimtar i tyre.
Pretendon edhe për një rast, se si pronari i një shtëpie që ndodhet në ato parcela, që figurojnë ende në emrin e tij dhe ndaj janë bllokuar nga gjykata, po do ta shes shtëpinë për të siguruar para për shërimin e gruas së tij të sëmurë rëndë, por po i pamundësohet për shkak të këtij procesi.
“Njëri prej tyre [fqinjëve] e ka gruan smutë, e po don me e shit shtëpinë me e qu gruan në Turqi për shërim, e nuk po mundet se Prokuroria ia ka blloku”, thotë Gushi.
“I kam dergu në gjykatë letrat e trashëgimisë, në seancën dëgjimore, por sipas tyre nuk janë të njëjtat. Vetëm me tahmin mi kan blloku”, pretendon ai, duke shfaqur edhe ankesën që avokati i tij e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 22 tetor 2020.
Të kontaktuar nga Reporteri.net, Gjykata Themelore e Prishtinës nuk kanë folur për rastin, përkundër se ka më shumë se 10 ditë që atyre disa herë iu janë përcjellë pyetjet me e-mail.
Sqarime mbi bazën e kërkesës në Gjykatë por të bllokuar edhe pronat e trashëguara të një personi që është në hetim për shpëlarje parash nuk kanë dhënë as Prokuroria e Shtetit.
Ndërkohë, në “urdhrin për ndalim afatgjatë” të Gjykatës Themelore të Prishtinës, i datës 16 qershor 2020, të cilin e ka siguruara Gazeta Online ‘Reporteri.net”, thuhet se Hajredin Gushi, bashkë me 6 persona tjera që sikurse ai janë në hetim, “dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pastrim i parave nga neni 308 i KPRK-së dhe nenit 56 dhe 57 të Ligji mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmi lidhur me veprën penale bazë “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Me ketë vendim, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndaj 6 personave në hetim, gjykata u ka lëshuar urdhrin ndalues për ngrirjen e aseteve, që përshihen toka bujqësore, toka nderimi, toka pyjore, parcela, banesa banimi, lokale dhe një automjet.
I gjithë ky hetim për Gushin nuk del të jetë shqetësim, pasi thotë se e di që nuk e ka shkelur ligjin dhe beson se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorisë se ka kryer shpëlarje parash, gjatë kohës sa ka patur në pronësi një rrjet lojërash të fatit. /Reporteri.net/.