Jahte të miliarderëve rusë po sekuestrohen gjithandej botës për shkak të sanksionimit nga Perëndimi
Një superjaht i lidhur me emrin e Roman Abramovichit është detyruar të largohej nga një port në Turqi, pasi fuqitë perëndimore kanë shtuar presionin ndaj oligarkëve rusë.
“MY Solaris” lundroi drejt Bodrumit muajin e shkuar pasi miliarderi ishte pjesë e listës së të sanksionuarve nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian, për shkak të lidhjes së tij me presidentin rus Vladimir Putin, që nisi pushtimin e Ukrainës. Jahti u prit me protesta nga ukrainasit që u përpoqën të ndalnin ankorimin aty.
Por dy javë pas qëndrimit në Bodrum, “Global Port Holdings”, që operon edhe si terminal, ka thënë se ka vendosur të mos pranojë më pagesën për ankorim të jahtit.
Kompania njoftoi se do t’i ndjekë vendimet sanksionuese ndërkombëtare.
Nga ajo kohë nga Bodrumi anija u largua në një zonë tjetër më afër, ndërsa një tjetër jaht i lidhur me Abramovichin, “Eclipse” ka mbetur në Marmara, destinacion i njohur turk.
Të dyja kushtojnë më shumë se 500 milionë dollarë dhe janë pjesë e caqeve të inteligjencave ndërkombëtare që po i monitorojnë pasuritë e oligarkëve rusë të lidhur me Putinin.
Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë zotuar se po i përcjellin lëvizjet e jahteve, ndërsa tashmë janë sekuestruar disa prej tyre. Teksa shumica janë në kërkim, këtu gjeni një listë prej superjahteve që janë cak i Perëndimit:
Roman Abramovich
“MY Solaris”, që raportohet se ka vlerë rreth 600 milionë dollarësh, ka një pishinë dhe një ‘helipad’ (zonë uljeje për helikopterët). Mund të akomodojë më shumë se 30 mysafirë. U largua nga Barcelona më 8 mars ku po riparohej dhe u pa më pas në Tivat të Malit të Zi, pak ditë pasi Abramovich u sanksionua nga Britania e Madhe. Tivati është qendër e superjahteve. “MY Solaris” u largua nga Tivati dhe u nis drejt Greqisë kur BE-ja sanksionoi Abramovichin më 15 mars. Pas kësaj, të dhënat kanë treguar se po largohet nga Greqia drejt ujërave ndërkombëtare, ku s’mund të sekuestrohet. Më 21 mars arriti në Bodrum. Edhe pse u prit me protesta nga ukrainas, Turqia nuk ka plan t’u bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj rusëve. Një kapiten i një prej anijeve të lidhura me një rus të pasur ka thënë në kushte anonimiteti për BBC-në që zyrtarët turk u kanë thënë se anijet ruse “janë të mirëseardhura dhe do të trajtohen si të gjitha të tjerat”.
“Eclipse” është një nga superjahtet më të mëdha në botë. Ka nëntë kuverta e tri “helipade”. Spekulohet se ka edhe sistem të mbrojtjes nga raketat dhe një sistem laser që pengon fotografimet nga fotografët. Qe ankoruar në ishullin e Sint Maartenit në territorin holandez të lidhur me BE-në, por u largua nga aty në muajin mars. Më pas nëpër Mesdhe, më 22 mars shkoi në Marmara të Turqisë. Resori është destinacion tjetër i famshëm për superjahtet.
Andrei Kostin
“Sea Rhapsody” po ashtu ka qenë në lëvizje. Është i lidhur me emrin e Andre Kostinit, president i bankës ruse “VTB”, që është sanksionuar edhe nga SHBA-ja, BE-ja e Mbretëria e Bashkuar. Jahti që ka një kinema dhe palestër u largua nga Fethiye në Turqi më 18 mars, duke u nisur drejt Omanit para se të arrinte në Seychelles më 3 mars, ku ende po qëndron.
Oleg Derpiaska
Superjahti “Clio” është i lidhur me emrin e Oleg Derpiaskas, industrialist me lidhje të ngushta me Putinin. Ka anijen e vogël përkrahëse të quajtur “Sputnik” – që ka një ‘helipad’ të vetin. “Clio” ka qëndruar në Maldive në mes të marsit. U largua më 19 të atij muaji duke u nisur drejt Omanit dhe më pas drejt Indisë, para se të kthehej në Maldive. Është nisur nga veriu sërish, këtë herë nëpërmjet Gjirit të Adenit.
Disa anije të tjera të lidhura me rusët janë ose ishin afër Maldiveve, përfshirë “Ocean Victory” e lidhur me Viktor Rashnikovin dhe “Nord” e lidhur me Alexei Mordashovin.
“Madame Gu” – e lidhur me Andrey Skochin e sanksionuar – është në Dubai. Dhe “Le Grand Bleu”, jaht i lidhur me Eugene Svhidlerin, të sanksionuar nga Britania e Madhe, po lundronte nëpër Karaibe dhe tani është në Porto-Riko. Maldivet, Seishelet dhe Dubai s’kanë me Perëndimin që do t’ua mundësonte sekuestrimin e pronave, duke i mbrojtur jahtet nga çdo sanksion.
Megjithatë, ato s’mund të jenë të sigurta në ujë pafundësisht. Shefja e “Boatbookings”, Capucine de Vallee, ka thënë se prodhuesit s’do të mund të ofrojnë pjesë apo shërbime për shkak të sanksioneve.
Vladimir Putin
Një superjaht i lidhur me presidentin Vladimir Putin në të kaluarën është kthyer në ujërat ruse para se të niste pushtimi i Ukrainës. “Graceful” lëvizi nga Gjermania drejt Kaliningradit në mes të shkurtit. Megjithatë, për disa javë anija “u ka ikur” agjencive të inteligjencës. Nën Konventën e Kombeve të Bashkuara për Sigurinë e Jetës në Det, anijet duhet të kenë të ndezura gjatë gjithë kohës mbikëqyrësit deri kur ka rrezik për sigurinë e stafit. Disa jahte të lidhura me rusët tashmë i kanë ndalur këta gjurmues muajin e fundit.
Zyrtarët amerikanë janë duke mbikëqyrur edhe anijen e dytë, “Sheherzade”, që aktualisht është në qytetin italian Marina Di Carrara. Përkrahësit e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, kanë thënë se anija, në vlerë 700 milionë dollarë, është e presidentit Putin.
Cilat jahte janë sekuestruar?
Në këtë kohë, zakonisht superjahte të shumta do të nisnin lëvizjet drejt destinacioneve evropiane. Por disa shtete në Evropë tashmë kanë sekuestruar jahte të lidhura me rusët e sanksionuar. Sekuestrime ka pasur edhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që bashkë me Spanjën kapën jahtin “Tango”. Ajo i përket Viktor Vekselbergut, të sanksionuar më 2018.
Jahtet e tjera të sekuestruara:
“Sailing Yacht A” e sekuestruar në Trieste të Italisë (Andrei Melnichenko)
“Lena” e sekuestruar në San Remo të Italisë (Gennadiy Timchenko)
“Lady M” e sekuestruar në Imperia të Italisë (Alexei Mordashov)
“Amore Vero” e sekuestruar në La Ciotat të Francës (Igor Sechin)
“Valerie” e sekuestruar afër Barcelonës në Spanjë (Sergei Chemenov)
“Crescent” e sekuestruar në Tarragona të Spanjës
“Lady Anastasia” e sekuestruar në Port Adriano të Spanjës (Alexander Mikheev)
“Axioma” e sekuestruar në Gjibraltar (Dmitrievich Pumpyansky)
Ka ende diskutime për statusin e njërit prej superjahteve më të mëdha të botës, “Dilbar”, e lidhur me biznesmenin Alisher Usmanov. Është raportuar se është sekuestruar në Hamburg, por është mohuar nga autoritetet. Po ashtu edhe dy jahte janë raportuar të jenë sekuestruar në Francë, por detajet s’janë konfirmuar.