Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me Albin Kurtin, por vetëm publikisht dhe para kamerave.
Në një konferencë për media, Gjini ka thënë se Kosova ndodhet në një krizë institucionale, duke e akuzuar Kurtin për uzurpim të pushtetit.
“Situata politike ka mbërritur një moment që mundet me qenë më kritiku në historinë e Kosovës. Sot Kosova nuk ka as president, as u.d. të presidentit, nuk ka kryetar të Kuvendit as nënkryetar. Kosova nuk ka as kryeministër legal, as ministra legalë, vetëm një person që e ka uzurpuar pushtetin”, ka deklaruar Gjini.
Sipas Gjinit, situata aktuale “nuk ka emër tjetër pos grusht shtet i brendshëm”, duke thënë se institucionet po uzurpohen përmes shfrytëzimit të “legjitimitetit të brishtë”.
Gjini ka rikujtuar ofertën me gjashtë pika të Aleancës për mbështetjen e krijimit të institucioneve, duke thënë se kërkesat nuk lidhen me interesa partiake apo personale.
“Po kërkojmë që me u nënshkru marrëveshja për gazin… Është hera e 40-të që e përsëris, nuk kemi marrë përgjigje për to. A do me i kry këto rrugë, a do me pas energji të prodhuar në Kosovë?”, ka thënë Gjini.
Ai ka kritikuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se brenda kësaj partie “s’ka as debat, as pyetje, as shtjellim të ideve”, por vetëm njerëz që e ngrenë dorën.
Gjini u ka bërë thirrje zyrtarëve civilë që të kenë kujdes se çfarë dokumentesh nënshkruajnë, duke pretenduar se urdhrat vijnë nga një pushtet i paligjshëm.
Në fund, Gjini ka thënë se nuk pranon takime në zyra të mbyllura me Kurtin.
“Nuk kemi çka me u taku nëpër zyra të mbyllura. E kisha taku Albin Kurtin në debat, me na pa populli i Kosovës gjithë çka po flasim. Me kamera, le ta zgjedhë studion, gazetarin, televizionin, publikisht kohën”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka thënë se në një takim të tillë do t’ia parashtronte Kurtit gjashtë pyetjet e Aleancës.