Gjermania dhe Franca përmes një komunikate të përbashkët pas zgjedhjeve të 14 shkurtit kanë përgëzuar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për rezultatin, derisa kanë kërkuar që sa më shpejtë të formohet qeveria e re dhe të zgjidhet presidenti i Kosovës.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka publikuar në rrjetin social Twitter këtë komunikatë ku thuhet se presin që të formohet qeveria dhe të vendoset për presidentin sapo të finalizohen rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Gjermania dhe Franca do të përkrahin Kosovën në agjendën lidhur me reformat ku përfshihet forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Së bashku me BE-në ne do të mbështesim Kosovën në menaxhimin e pandemisë COVID 19”, thuhet në këtë komunikatë.
Dy shtetet janë shprehur të gatshëm që të mbështesin vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ky qëndrim i përbashkët i Francës dhe Gjermanisë, vjen pas demarshit që më 24 mars të vitit 2020 i kishin dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës për të hequr dorë nga mocioni për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.