LAJME

Gjendet një automjet i vjedhur në Prizren, arrestohet i dyshuari

Gjendet një automjet i vjedhur në Prizren, arrestohet i dyshuari
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Qershor 2026, 09:34

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se me datën 19.06.2026, një qytetar ka raportuar rastin e vjedhjes së automjetit të tij.

“Sipas ankuesit, me datën 17.06.2026, ai e kishte parkuar automjetin e tipit VW Golf në një parking në Prizren. Kur është kthyer, me datën 19.06.2026, ka vërejtur se automjeti mungonte dhe dyshohej se ishte vjedhur. Hetuesi kujdestar i Stacionit Policor Prizren, në konsultim me prokurorin kujdestar, ka iniciuar rastin ‘vjedhje e rëndë’.” – thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, pas një pune intensive operative, dje me datën 24.06.2026, hetuesit e Stacionit Policor Prizren kanë identifikuar të dyshuarin, i cili ka treguar vendndodhjen e automjetit.

“Automjeti është gjetur dhe i është kthyer pronarit. I dyshuari është intervistuar dhe duke qenë se kishte një aktgjykim të formës së prerë me dënim me burg nga Gjykata Themelore në Prizren, është dërguar për vuajtjen e dënimit. Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prizren.” – njofton Policia.

Policia e Kosovës thekson se po vazhdon me përkushtim të punojë në ruajtjen e rendit dhe pronës së qytetarëve, si dhe në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar dhe atyre në kërkim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika