Gëzim Bimbashi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Ai ka thënë se ky vendim nuk ka të bëjë me ndonjë konfilkt apo arsye të jashtme, por për shkak të ngarkesës me angazhime profesionale dhe private.
“Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së. Ky vendim nuk lidhet me ndonjë konflikt apo arsye të jashtme. Dorëheqja ime vjen si pasojë e lodhjes dhe përqendrimit të energjisë sime në profesionin dhe karrierën time si gazetar. Angazhimet profesionale dhe private nuk më lejojnë të vazhdoj këtë detyrë me përkushtimin që ajo kërkon, dhe ndihem i detyruar të hap rrugë për energji të re dhe për një drejtim të ri të Sindikatës” – theksoi Bimbashi.
Duke radhitur aktivitetet që ka realizuar SPRTK, nën udhëheqjen e tij, gjatë kësaj dekade të shërbimit të tij, Bimbashi u shpreh se tashme është nevoja për një energji të re në këtë institucion.
“Gjatë dekadës që kam qenë pjesë e kësaj detyre, kemi punuar së bashku në mbrojtje të punëtorëve dhe të RTK-së. Kemi përballuar sfida, kemi reaguar ndaj padrejtësive, kemi marrë pjesë aktive në komisione dhe takime me institucione, kemi përfaqësuar Sindikatën në forume rajonale dhe ndërkombëtare, kemi organizuar komunikata dhe protesta kur ka pasur nevojë, dhe kemi zhvilluar aktivitete sociale dhe humanitare për anëtarët. Qindra komunikata, takime, aktivitete dhe përfaqësime janë dëshmi e punës sonë të përbashkët. Pas një dekade angazhimi, ndihem se është koha që Sindikata të ketë energji të re dhe të fuqizohet edhe më shumë” – shtoi ai.
Ai u bëri thirrje kolegëve gazetarë, që t’i bashkohen sindikatës dhe ta mbështesin atë me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit të të gjithë punëtorëve.
“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka treguar se është shembull i organizimit sindikal në Kosovë dhe mbetet autoritet i rëndësishëm brenda institucionit. Për këtë arsye, i bëj thirrje të gjithë kolegëve, përfshirë ata që ende nuk janë pjesë e Sindikatës, ta përqafojnë dhe ta mbështesin, sepse vetëm e bashkuar mund të ketë peshë reale dhe të mbrojë dinjitetin e punëtorëve. Ju falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin gjatë gjithë këtyre viteve. Shpresoj që ky vendim do t’i japë mundësi Sindikatës të vazhdojë rrugëtimin e saj me energji të re dhe rezultate edhe më të fuqishme” – përfundoi Bimbashi.