LAJME

Gërvalla: Pavarësia e Republikës së Kosovës në kontinentin evropian nuk mund të mohohet më nga askush

Gërvalla: Pavarësia e Republikës së Kosovës në kontinentin evropian nuk mund të mohohet më nga askush
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Nëntor 2026, 11:50

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mori pjesë sot në takimin e 8-të të Nënkomitetit BE-Kosovë për Drejtësi, Liri dhe Siguri.

Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla theksoi se pavarësia e Republikës së Kosovës në kontinentin evropian si shtet i pavarur dhe sovran është një realitet i cili sot nuk mund të mohohet më nga askush.

Sipas saj, sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit të drejtësisë, siguria publike dhe mbrojtja e të drejtave themelore nuk janë vetëm detyrime të procesit të integrimit evropian. Ato janë pjesë e domosdoshme dhe fundamentale e funksionimit të shtetit demokratik dhe e mbrojtjes së qytetarëve.

“Reforma në drejtësi mbetet një nga prioritetet qendrore të Qeverisë. Synimi ynë është një sistem gjyqësor dhe prokurorial i pavarur, profesional, efikas dhe llogaridhënës, i cili garanton qasje të barabartë në drejtësi dhe vendimmarrje të paanshme.” – theksoi ajo.

Gërvalla tha se një pjesë qendrore e këtij procesi është Deklarata e Përbashkët e Zotimit dhe Pakoja e pesë projektligjeve të reformës në drejtësi.

“Pakoja trajton rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; përgjegjësinë disiplinore; funksionimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial; si dhe forcimin e Akademisë së Drejtësisë. Projektligjet janë hartuar duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe përmes konsultimit me institucionet e drejtësisë, shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Ato kanë kaluar leximin e parë dhe janë në procedurë parlamentare. Është e rëndësishme që ky proces të përfundojë me cilësi dhe që miratimi i ligjeve të pasohet nga zbatimi i shpejt dhe efektiv i tyre.” – theksoi ajo.

Sipas ministrës, pavarësia dhe llogaridhënia duhet të avancojnë së bashku. “Pavarësia pa përgjegjësi dobëson besimin, ndërsa llogaridhënia pa garanci për pavarësinë rrezikon vendimmarrjen e paanshme.”

Raporti i Komisionit Evropian i vitit 2026 është një vlerësim i qartë dhe kërkues, sipas saj. “Ai njeh rezultate në fusha të caktuara, përfshirë për shembull, rritjen e vendimeve dhe dënimeve të formës së prerë në rastet e krimit të organizuar, bashkëpunimin e kënaqshëm gjyqësor në çështjet penale dhe disa zhvillime pozitive në sistemin prokurorial.”

“Mirëpo, Raporti konstaton gjithashtu progres të kufizuar në Kapitullin 23 dhe mungesë progresi në funksionimin e gjyqësorit. Ne nuk i shmangemi këtij vlerësimi. E konsiderojmë atë si detyrim për t’i përshpejtuar reformat, pa cenuar cilësinë e tyre, dhe për të siguruar rezultate të matshme në zbatim.” – theksoi Gërvalla.

Një çështje tjetër me rëndësi të madhe, sipas ministres, është lufta kundër korrupsionit dhe përdorimi më efikas i mekanizmave për sekuestrimin, konfiskimin dhe administrimin e pasurisë.

Pas miratimit dhe dekretimit të Ligjit për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, Gërvalla tha se detyra e radhës është funksionalizimi i plotë i saj.

“Byroja duhet të funksionojë me profesionalizëm, paanshmëri, kontroll gjyqësor efektiv dhe respektim të garancive kushtetuese. Trajtimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të jetë efektiv, por çdo ndërhyrje e shtetit duhet të bëhet në përputhje me ligjin dhe të drejtat e palëve.” – tha ajo.

Ajo e cilësoi themelimin dhe fillimin e funksionimit të Gjykatës Administrative si një hap tjetër të rëndësishëm.

“Tani nevojiten kapacitetet dhe burimet e duhura që ajo ta përmbushë mandatin e saj dhe të kontribuojë në një administratë më të ligjshme, më të përgjegjshme dhe më të parashikueshme. Synojmë gjithashtu ta çojmë përpara themelimin e Gjykatës për Çështje Familjare. Lëndët që lidhen me pronën, trashëgiminë, dhunën në familje, shkurorëzimin dhe detyrimin ushqimor shpesh prekin drejtpërdrejt jetën e familjeve dhe fëmijëve. Ato kërkojnë trajtim të specializuar dhe më të shpejtë, me vëmendje të veçantë ndaj sigurisë së viktimave dhe interesit më të mirë të fëmijës. Sundimi i ligjit nuk matet për ne vetëm me ligje, struktura dhe statistika. Ai matet edhe me mbrojtjen që shteti i ofron një personi kur jeta, siguria dhe dinjiteti i tij janë në rrezik.” – u shpreh Gërvalla.

Ajo theksoi se si koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, i kushton rëndësi të veçantë përgjigjes së përbashkët institucionale ndaj dhunës.

Gërvalla shtoi se ngjarjet e fundit në Kosovë na kanë treguar se ligji dhe mekanizmat nuk mjaftojnë, nëse zinxhiri institucional nuk vepron në kohë, në koordinim dhe me përgjegjësi. Sipas saj, mangësitë duhet të identifikohen, përgjegjësia duhet të sqarohet dhe mësimet duhet të shndërrohen në ndryshime dhe masa konkrete.

“Policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet sociale, institucionet shtetërore dhe mekanizmat mbështetës duhet të veprojnë si pjesë e të njëjtës linjë të përgjegjësisë. Nga raportimi i parë, te vlerësimi i rrezikut, masat mbrojtëse dhe mbështetja afatgjatë, personi i ekspozuar ndaj dhunës duhet të marrë informacion, mbrojtje dhe ndihmë në kohë, pa pengesa institucionale apo riviktimizim. Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031 dhe Plani i saj i Veprimit duhet të mbështeten në përvojën e mirë deritanishme, në të dhëna të besueshme dhe në nevojat e personave që kërkojnë mbrojtje.” – ka shkruar tutje Gërvalla.

Ajo nënvizoi se në të gjitha këto procese, partneriteti me Bashkimin Evropian ka rëndësi të veçantë.

“Bashkëpunimin duam ta orientojmë drejt zbatimit, forcimit të kapaciteteve, përmirësimit të monitorimit dhe shndërrimit të rekomandimeve në ndryshime të prekshme. Mbështetja e partnerëve nuk e zëvendëson përgjegjësinë tonë, por duhet të na ndihmojë ta përmbushim atë edhe më mirë. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën e saj evropiane. Përafrimi i plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, angazhimi për reforma dhe orientimi proevropian tregojnë se integrimi evropian është orientim strategjik për Kosovën. Për këtë arsye, presim që edhe Bashkimi Evropian të veprojë me vëmendje, seriozitet dhe përgjegjësi në raport me Kosovën.” – theksoi më tej Gërvalla.

Tutje, ajo foli edhe për këngën e cila u interpetua më 15 nëntor, në hapjen e Forumit të Zgjerimit në Bruksel, këngë e cila sipas saj, bart pretendime nacionaliste serbe ndaj territorit të Republikës së Kosovës. Gërvalla theksoi se përfshirja e saj në një aktivitet të Komisionit Evropian ishte e papranueshme.

Ajo mirëpriti edhe sqarimin e komisionerës Kos se kjo këngë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian, mirëpo të nderuar zonja dhe zotërinj, një sqarim nuk mjafton.

“Presim pasoja konkrete dhe institucionale: një shpjegim se si u përzgjodh dhe u miratua kjo këngë, përcaktimin e përgjegjësisë dhe masa që një rast i tillë të mos përsëritet. Pavarësia e Republikës së Kosovës në kontinentin evropian si shtet i pavarur dhe sovran është një realitet i cili sot nuk mund të mohohet më nga askush. Raste të tilla e dëmtojnë kredibilitetin e Bashkimit Evropian dhe besimin në paanshmërinë e tij. Pikërisht sepse ne besojmë fort në projektin evropian, kërkojmë një partneritet të ndërtuar mbi standarde, respekt, përgjegjësi dhe seriozitet të ndërsjellë.” – tha ministrja.

Ajo potencoi gjithashtu se pret që që diskutimet të mos përfundojnë me konstatime të përgjithshme, si dhe kërkoi përgjegjësi të qarta nga Nënkomiteti, hapa konkretë dhe mënyra të matshme për të ndjekur zbatimin.

“Kosova është shumë e gatshme ta bëjë pjesën e saj: t’i çojë përpara dhe t’i zbatojë reformat, të forcojë institucionet dhe të mbrojë të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve. Të njëjtin seriozitet dhe të njëjtën përgjegjësi e presim edhe nga partnerët tanë evropianë.” – përfundoi ministrja Gërvalla.

Takimi i Nënkomitetit BE-Kosovë për Drejtësi, Liri dhe Siguri u dha mundësinë pjesëmarrësve, të vlerësojnë së bashku rezultatet, të flasin hapur për mangësitë dhe të përcaktojnë hapat e mëtejshëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e rrugës evropiane të Kosovës.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika