LAJME

Specialja dënon Fazliun e Smakajn me nga 12 muaj burgim, Kuçin me kusht, ndërsa Kilaj lirohet

Specialja dënon Fazliun e Smakajn me nga 12 muaj burgim, Kuçin me kusht, ndërsa Kilaj lirohet
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Nëntor 2026, 11:17

Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur fajtorë disa nga të akuzuarit në rastin që lidhet me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, duke shqiptuar dënime të ndryshme ndaj tyre.

Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj janë dënuar me nga 12 muaj burgim, ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është dënuar me një muaj burgim me kusht. Ndërkaq, Isni Kilaj është liruar nga akuza për njërën prej veprave penale, por është shpallur fajtor për mosbindje ndaj gjykatës.

Fadil Fazliu është shpallur fajtor për veprat penale të pengimit të drejtësisë dhe mosbindjes ndaj gjykatës. Ai është dënuar me 12 muaj burgim, dënim që konsiderohet i kryer për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.

Fazliu ishte arrestuar më 5 dhjetor 2024, pas konfirmimit të aktakuzës, dhe ishte transferuar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Edhe Bashkim Smakaj është dënuar me 12 muaj burgim. Gjykatësi Kristofer Gosnel bëri të ditur se Smakaj është shpallur fajtor për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

“Për këto vepra penale ju dënojmë me një dënim të njësuar prej 12 muajsh burgim. Meqenëse keni kaluar në paraburgim një periudhë më të gjatë se kjo, në bazë të fletëarrestimit kundër jush në këtë çështje gjyqësore, dënimi juaj konsiderohet i shlyer dhe ju do të liroheni në përfundim të kësaj seance”, tha gjykatësi.

Ndërkaq, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është shpallur pjesërisht i pafajshëm dhe fajtor nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi bëri të ditur se Kuçi është shpallur i pafajshëm për pikën 18 të aktakuzës për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa fajtor për pikën 19 të së njëjtës aktakuzë.

Për këtë vepër, Kuçit i është shqiptuar dënim me kusht prej një muaji burgim.

Në anën tjetër, Gjykata Speciale ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Isni Kilajt për akuzën e tentativës për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, e përfshirë në pikën 14 të aktakuzës.

Megjithatë, Kilaj është shpallur fajtor për veprën penale të mosbindjes ndaj gjykatës, të përfshirë në pikën 15 të aktakuzës, në kuadër të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.

Për shkak të kohës së kaluar në paraburgim, Kilaj është liruar.

Ai ishte arrestuar më 3 nëntor 2023 dhe ishte transferuar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika