LAJME

Arrestohet në Gjermani shqiptari me shtatë identitete, kërkohej për disa vepra penale

Arrestohet në Gjermani shqiptari me shtatë identitete, kërkohej për disa vepra penale
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Nëntor 2026, 10:28

Policia Federale gjermane ka arrestuar një shtetas shqiptar 31-vjeçar, i dyshuar për vjedhje.  I dyshuari pas arrestimit është gjetur se ka dosje policore për disa vepra penale, në mesin e tyre për ndërrim të identitetit për shtatë herë.

Vjedhja e fundit nga i dyshuari, sipas njoftimit, ka ndodhur të dielën rreth orës 11:00, në stacionin qendror të trenit në Aachen, ku policia u thirr në një dyqan të produkteve kozmetike dhe higjienike. Një 29-vjeçare nga Bullgaria ishte ndaluar nga personeli i dyqanit, pasi dyshohej se së bashku me një burrë kishte tentuar të vidhte produkte me vlerë rreth 28 euro.

I dyshuari arriti të largohej para mbërritjes së policisë, por gjatë kontrollit të zonës, efektivët vunë re një person pranë një parkingu shumëkatësh, i cili iku me vrap sapo pa zyrtarët policorë.

Policia arriti ta ndalonte në një nga katet e parkingut, ku pranë tij u gjetën edhe produktet e dyshuara të vjedhura. Gjatë shoqërimit në komisariat, 31-vjeçari kundërshtoi policët duke përdorur forcë fizike, por efektivët arritën ta neutralizonin dhe ta prangosnin.

Verifikimet zbuluan se shqiptari ishte i njohur për autoritetet gjermane. Në sistem figuronin shtatë identitete të tjera dhe dhjetë kërkesa për përcaktimin e vendndodhjes së tij, të lëshuara nga Prokuroria e Bremenit për vepra të ndryshme penale, përfshirë vjedhje, grabitje, kanosje, plagosje të rëndë dhe detyrim seksual.

Po ashtu, rezultoi se ai ishte dëbuar nga Gjermania në vitin 2023 dhe ndaj tij ishte vendosur ndalimi i hyrjes dhe qëndrimit në vend për pesë vjet.

Gjatë kontrollit personal, policia i gjeti një thikë në çantë. Për këtë arsye, akuza ndaj tij u rëndua edhe me dyshimin për vjedhje me armë.

Pas konsultimit me prokurorinë, 31-vjeçari u dërgua në ambientet e ndalimit policor në Aachen, me qëllim që të paraqitej para gjykatës për shqyrtimin e masës së paraburgimit./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika