Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës së saj në Dyseldorf të Gjermanisë, mbrëmë mori pjesë në ekspozitën “Helmimet në Kosovë (1990–1992)”.
Sipas Gërvallës, në këtë ekspozitë u rikthye vëmendja te një prej kapitujve më të rëndë dhe ende të pazbardhur të historisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të rasteve të helmimeve masive të nxënësve, studentëve dhe qytetarëve shqiptarë gjatë viteve 1990–1992 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviqit.
“Ekspozitat e tilla nuk janë asnjëherë vetëm një akt kujtese, por një përpjekje për dokumentim dhe përballje me të vërtetën historike. Ajo na rikthen te një periudhë kur mijëra nxënës e studentë dhe qytetarë të kësaj Republike u prekën nga raste helmimesh masive nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviqit, të cilat tronditën thellë shoqërinë dhe lanë pasoja afatgjata në kujtesën kolektive” – u shpreh Gërvalla.
Ajo theksoi se për këtë arsye, përvoja e Republikës së Kosovës me dhunën dhe shtypjen sistematike është themelore për mënyrën se si ne e kuptojmë shtetin, lirinë dhe orientimin tonë euroatlantik, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
“Mbështetja jonë e fuqishme për NATO-n dhe BE-në nuk është vetëm zgjedhje politike, por reflektim i një historie të jetuar. Njëkohësisht, kjo ekspozitë është edhe një kujtesë se paqja në Evropë nuk është e vetëkuptueshme. Stabiliteti kërkon vigjilencë, përgjegjësi dhe angazhim të vazhdueshëm për të mos lejuar asnjëherë që e kaluara të relativizohet apo të harrohet. Prandaj, dokumentimi i këtyre ngjarjeve mbetet jo vetëm detyrë institucionale, por edhe një zotim i palëkundur për të vërtetën dhe për dinjitetin e viktimave” – shkruan tutje Gërvalla në Facebook.
Në fund, ajo falënderoi drejtorin Atdhe Hetemi dhe Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Konsullin e Republikës së Kosovës në Dyseldorf, Behar Isma, partnerët akademikë, Shoqatën e Studentëve shqiptarë në Nordrhein-ëestfalen, si dhe Këshillin e Studentëve të Universitetit Duisburg-Essen për realizimin dinjitoz të kësaj ekspozite.