Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka thënë sërish se nuk do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve FENA të Bosnje e Hercegovinës, Gërvalla ka thënë se nuk do të lejojnë një tjetër Republikë Serbe.
“…ne nuk lejojmë një Republika Srpska tjetër, tashmë një mund të jetë shumë”, ka thënë ajo.
Ajo vlerëson se situata në vend është stabile, sepse sipas saj, Qeveria dhe populli qëndrojnë të qetë dhe nuk reagojnë njësoj si ‘nacionalistët urrejtës që tentojnë të provokojnë konflikte’.
Gërvalla po ashtu ka thënë se nëse Perëndimi dështon sërish, Evropa mund të përfundojë në një luftë të madhe.
“Nëse ne si Perëndim dështojmë përsëri, Evropa mund të përfundojë përsëri në një luftë të madhe. Ose do të ndalojmë ata që bëjnë luftë dhe ata që kërcënojnë luftën, si Putin, Vuçiq, Daçiq, Vulin dhe ekstremistët e tjerë, ose do të jetë shumë vonë shumë shpejt”, ka thënë ajo.
Shefja e diplomacisë kosovare, tutje ka thënë se Perëndimi duhet të reagojë.
“Perëndimi duhet të përgjigjet, dhe nuk duhet të dështojë përsëri, siç bëri në mënyrë dramatike në vitet 1990 në rajon, dhe pas 1999 në lidhje me agresionin e Putinit kundër Gjeorgjisë në 2008, Ukraina në 2014, e cila përfundimisht çoi në luftë totale kundër Ukrainës në në vitin 2022”, ka thënë ajo.