Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i ka falur personat që e sulmuan javë më parë, kështu ka bërë të ditur avokati i Muhaxherit, Dukagjin Kerveshi. Ai tha se kjo u bë me ndërmjetësimin e Xhavit Halitit dhe Vehbi Shalës.
“Me kërkesën e familjarëve të sulmuesve dhe me ndërmjetësimin e miqve z. Xhavit Haliti dhe z.Vehbi Shala, sot pas një takimi të kërkuar nga familjarët e sulmuesve, kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri ka vendosur që t’i fal sulmuesit për sulmin ndaj tij. Drejtësia të bëjë punën e saj, por kryetari Gazmend Muhaxheri nuk do t’i ndjek të njëjtit penalisht në procedurë penale dhe se heq dorë nga kërkesat eventuale pasurore ndaj tyre në procedurë gjyqësore. Duke respektuar miqtë që kanë fasilituar komunikimin, kryetari Muhaxheri ka vendosur si më lartë. Andaj, me autorizimin e kryetarit Muhaxheri njoftojmë gjitha palët e interesuara se z Muhaxheri i ka falur të njëjtit”, ka njoftuar Kerveshi.
Derisa deputeti Haliti ka falënderuar kryetarin e Pejës, duke uruar që sulme të tilla mos të përsëriten më.
“Burrat falin! Me ndërmjetësimin tim, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri i fali vëllezërit Lulaj për sulmin ndaj tij para disa ditësh. Ndërkohë, drejtësia do të merrët me rastin. Uroj që sulme të tilla të mos ndodhin më asnjëherë. Gaz, faleminderit!”, ka shkruar Haliti në Facebook.
Ndryshe, në orët e mëngjesit të 26 tetorit është sulmuar fizikisht kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Muhaxheri u sulmua fizikisht deri sa po dilte nga një lokal në Pejë. Policia në Pejë kishte njoftuar se kryetari Muhaxheri ka marrë edhe lëndime trupore.