Një ekip nga Forca e Sigurisë së Kosovës mori pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate.
Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi u përmbyll me një marshim taktik prej 88 kilometrash, nga Udbina deri te Kalaja e Kninit, duke vënë në sprovë qëndrueshmërinë fizike dhe mendore, aftësitë udhëheqëse, disiplinën dhe vendimmarrjen e pjesëmarrësve në rrethana sfiduese.
Në trajnim morën pjesë ushtarakë nga Kroacia, Kosova, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Siç bëhet e ditur, marshimi përmbyllës kishte gjithashtu domethënie simbolike, duke nderuar historinë dhe sakrificën e popullit kroat gjatë Luftës Atdhetare.





