Rasim Demiri nga koalicioni “Vakat” ka njoftuar se përfaqësuesit e disa fshatrave të Luginës së Lumbardhit (Zhupës) kanë takuar drejtorin e distriktit të KEDS-it në Prizren, Senad Domuzeti për të shqyrtuar sfidat sa i përket furnizimit me energji elektrike.
Demiri ka bërë të ditur se me nismën e Eldis Abazit, përfaqësues nga fshatrat Reçanë, Nebregoshtë, Planjanë, Manastiricë dhe Mushnikovë, kanë zhvilluar takimin me drejtuesit e KEDS-it në Prizren, ku temat kryesore kanë qenë prishjet e shpeshta, reduktimet si dhe planet për rrjetin e largpërçuesit të ri, raporton Telegrafi.
Sipas tij, drejtori Domuzeti ka bërë të ditur se projekti për Zhupën parashihet që të realizohet gjatë vitit 2025, me një investim të përgjithshëm prej 900 mijë eurosh, dhe se rikonstruksioni i rrjetit elektrik parasheh rritjen e kapacitetit nga 10 KV aktuale në 20 KV. Po ashtu ka theksuar se në të gjitha fshatrat e Zhupës është planifikuar instalimi i kabllove nëntokësore, të cilat do të lidhin nënstacionet e reja me largpërçuesit.