Ilija Markovic është 17 vjeç dhe gjendet në spital duke u kuruar nga plagët që ka marrë në rrahjen që ndodhi para dy dite. Ai thotë se ndihet keq me shëndet, ndërkohë që ka dhënë edhe versionin e tij për këtë rast.
Rrahja ka ndodhur mes dy grupeve në Llapnasellë të Graqanicës, në të cilin është përfshirë edhe djali i politikanit serb, Nenad Rashiq. Disa prej të rinjve që u përfshinë në këtë rrahje kanë mbetur të lënduar dhe ende po vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor, ndërkohë që 7 prej tyre janë paraburgosë me vendim të gjykatës.
“Jam keq më shëndet. Unë mund të ju shpjegoj se në atë moment kam qenë me duar në xhepa. Ne kemi dashur të përshëndetemi në formë miqësore. Jam kthyer tek një tjetër ta pyes diçka dhe më kanë goditur. Më kujtohet se ka filluar të më rrjedhë gjaku dhe pas 10 apo 15 sekondash dikush tjetër më ka tërhequr. Po ai ka goditur i pari dhe kështu ka vazhduar”, rrëfen Ilija Markovic versionin e tij për rrahjen.
Ndërkohë që sot Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurve M.R., Ç.ZH., L.K., B.ZH, D.N., M.J dhe D.T për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja në rrahje në bashkëkryerje.
Për këtë rast ka folur edhe drejtori i shkollës ku ndodhi rrahja, Dejan Denic:
“Sa i përket rastit, shkolla ka punuar atë ditë, por Nikolla dhe grupi e tij i përfshirë në atë rast nuk kanë qenë atë ditë në shkollë, sepse kanë qenë në grupin e mësimit online. Për mendimin tim kjo nuk ka asnjë lidhje me politike. Ka të bëjë me një konflikt mes dy grupeve të rinjsh të cilët për arsye të ndryshme janë përleshur”, theksoi Denic.
Rastin e pat konfirmuar edhe Policia e Kosovës:
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një rrahje në progres në afërsi të shkollës në Llapnasellë, ku kanë qenë të përfshirë disa persona. Me të marrë informatën njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet se një person mashkull , ka pësuar lëndime dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës për IndeksOnline.
Për këtë rast Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, se ekziston rreziku se me gjetjen e tyre në liri, të njëjtit mund të ikin apo arratisen për ti ikur përgjegjësisë penale në këtë fazë të procedurës, poashtu të pandehurit nëse do të jenë në liri mund t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar tek i dëmtuari N.R., po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, tregon rrezik se nëse të pandehurit do të gjenden në liri mund të përsërisin veprën penale apo vepra të ngjashme penale.
Po ashtu sot prindërit e nxënësve të shkollave të mesme të cilët janë ndaluar për një muaj për pjesëmarrje në rrahje në Llapnasellë janë mbledhë para stacionit të policisë në Graçanicë, të revoltuar nga vendimi për paraburgim. /IndeksOnline.