Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po mban takim me kryetarët e Komunave të Kosovës.
Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se takimi mes ministrit Vitia dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës do të zhvillohet online dhe ka filluar në ora 10:00.
Temë diskutimi do të jenë masat antiCOVID-19 e të cilat masa po kërkohen që të hiqen.
Një ditë më parë, pra të mërkurën Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka mbajtur takimin online lidhur me situatën e tashme pandemike nëpër komuna me virusin Covid-19.
Kryetarët e Komunave në këtë takim kanë diskutuar edhe për masat e tashme, zbatimin e tyre, efektin dhe për situatën pas datës 18 prill kur skadojnë këto masat e reja.
Në fund Kryetarët e Komunave janë dakorduar për rekomandimet e pushtetit lokal ndaj pushtetit qendror lidhur me situatën pandemike dhe masat e reja në këtë drejtim dhe në anën tjetër respektimin e masave nga ana e qytetarëve.
Ata i kanë rekomanduar qeverisë që të heqin orën policore dhe që gastronomisë t’i hiqen masat dhe të udhëzohen që të respektojnë distancën fizike edhe përmes tavolinave.
Po ashtu Qeverisë i është rekomanduar që të kenë prioritet vaksinimin e popullatës, të amandamentohet Ligji mbi pandeminë, të zbatohet pakoja e fundit e përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me pako të re përkrahëse.
Ndërsa, po sot pronarët e sallave të dasmave mbajnë takim lidhur me masat anti-Covid.