Federata e Sindikatave të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSK) i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës në detyrë që të zbatojë vendimin për rritjen e pagës minimale nga 1 janari 2026, ashtu siç është miratuar më 31 tetor 2025.
Në apelin e drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit të Financave në detyrë, Hekuran Murati, FSPTSK rikujton se Qeveria ka vendosur që paga minimale të rritet nga 350 euro në 500 euro, në dy faza. Faza e parë parasheh rritjen në 425 euro bruto nga 1 janari 2026, ndërsa faza e dytë në 500 euro nga 1 korriku 2026.
Federata thekson se zbatimi i këtij vendimi është i domosdoshëm për lehtësimin e kostos së jetesës për punëtorët e sektorit privat, përballë rritjes së vazhdueshme të inflacionit dhe çmimeve në treg.
Po ashtu, FSPTSK kërkon që Qeveria të ndërmarrë përgatitjet e nevojshme buxhetore, veçanërisht për kompanitë publike dhe ato private që ofrojnë shërbime për institucionet publike, në mënyrë që pagesat mujore të kryhen në përputhje me rritjen e pagës minimale.
Sipas Federatës, këto kompani mbulojnë një pjesë të madhe të shpenzimeve buxhetore të Qeverisë dhe aktualisht nuk kanë buxhet të paraparë për rritjen e pagës minimale që pritet të hyjë në fuqi.
Në fund, FSPTSK rithekson kërkesën e saj që paga minimale, në kushte normale ekonomike, të arrijë së paku në 600 euro, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri për dinjitetin dhe mirëqenien e punëtorëve në Kosovë.
