Mbi 75 për qind e vendvotimeve janë rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi tha se që nga 13 janari në QNR po zbatohen dy vendime të KQZ-së për rinumërimin e gjithsej 2 557 vendvotimeve, ku është zhvilluar procesi zgjedhor më 28 dhjetor.
“Që nga data 13 janar dhe deri më sot, kur ka filluar dita e 15, në QNR është duke vazhduar zbatimi i dy vendimeve të KQZ-së, për rinumërimin e 914 vendvotimeve dhe ai për rinumërimin edhe të 1.643 vendvotimeve, që në përgjithësi kemi të bëjmë me rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, 2.557, në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor. Numri i vendvotimeve që janë rinumëruar, kur shënon pak pas mesditës, është më shumë se 75 për qind dhe sigurisht se këto të dhëna do të ndryshojnë deri në orën 16:00, kur do të përfundojë orari i punës për ndërrimin e parë”, tha ai për EO.
Sipas Elezit, procesi po zhvillohet sipas planit të paraparë dhe në QNR janë të angazhuara 76 ekipe numërimi.
“Fillimisht procesi i rinumërimit, i cili ka filluar me datë 13 janar, është duke vazhduar sipas planifikimeve të KQZ-së. Në përgjithësi në QNR janë 76 ekipe numërimi të cilat angazhohen gjatë gjithë ditës. Sipas planifikimeve dhe dinamikës që është duke u zhvilluar këtu në QNR, atëherë KQZ planifikon që procesi i rinumërimit për vendvotimet e mbetura pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, që i bie ditë e shtunë”, tha ai.
Ai sqaroi se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të shkurtit, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa para certifikimit të zgjedhjeve.
“Fillimisht pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të muajit shkurt, KQZ planifikon që të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme. Shpallja e rezultatit nuk nënkupton certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, sepse sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtij rezultati fillimisht në PZAP dhe pastaj palët mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme nëse janë të pakënaqura me vendimin e PZAP-së. Pra, KQZ duhet të presë të kalojnë këto afate kohore para se të bëjë procedime të tjera. Koha se sa duhet që KQZ ta certifikojë rezultatin përfundimtar pasi të bëjë shpalljen e këtij rezultati varet krejtësisht nga ankesat të cilat mund të paraqiten ndaj rezultatit përfundimtar”, tha ai.
