LAJME

Ekipi i Auditimit Social në Dragash prezanton gjetjet dhe rekomandimet para kryetarit të komunës

Ekipi i Auditimit Social në Dragash prezanton gjetjet dhe rekomandimet para kryetarit të komunës
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Nëntor 2025, 09:44

Ekipi i Auditimit Social në Dragash është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bexhet Xheladini, për të diskutuar në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e draft-raportit që është hartuar pas punës disamujore në monitorim të katër projekteve që janë përfituar përmes Grantit të Performancës Komunale.

Ekipi i Auditimit Social është një grup i qytetarëve që ka monitoruar katër projekte në Dragash, “Ndërtimi i trotuarit Brodosan-Zaplluzhe dhe Brrut-Bellobrad”; “Kubëzimi i rrugëve në regjionin e Opojës”; “Ndërtimi i trotuarit Dragash-Ura e fshatit Shajne, Ndërtimi i trotuarit Dragash-fshati Kukajan, Ndërtimi i murit mbajtës te varrezat e qytetit, si dhe ndërtimi i ndriçimit në rrugën unazore në Dragash” dhe “Asfaltimi i rrugëve dhe kubëzimi i rrugëve në regjionin e Gores në Dragash (fshatrat Restelicë dhe Radesh)”.

Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, vlerësoi që për të dytin vit me radhë procesi i Auditimit Social e ka ndihmuar komunën që projektet të bëhen më të mira për qytetarët.

“Është viti i dytë që unë si Kryetar i Komunës kam nënshkruar një marrëveshje që pajtohem me këtë formë të Auditimit Social, dhe kjo është për mua një ndihmesë e madhe si kryetar i komunës. Këto mjete, përveç që po i financojnë këto projekte, të cilat kanë qenë kërkesa të qytetarëve, nëpërmjet auditimit tuaj, dhe organit mbikëqyrës të komunës, ne do të arrijmë që këto investime të bëhen shumë më të përshtatshme për qytetarë dhe të ju përshtaten nevojave dhe kërkesave të qytetarëve”- tha ai.

Kryetari Xheladini njoftoi se Komuna e Dragashit për katër vite me radhë është fituese e Grantit të Performancës por pati vërejtje për Ministrinë e Adiminitrimin të Pushtetit Lokal, e cila sipas tij i ka vonuar mjetet për rreth tre muaj. Ai përmendi edhe motin i cili mund të shkaktojë pengesa dhe vonesa në implementim të projekteve.

“Do të kemi pak pengesa në performimin e këtyre projekteve, shkaku edhe i motit, në shtator na ka ra borë, janë ndërprerë afër dy javë punimet, por besoj që deri kah 15 dhjetori do t’i përfundojmë me kohë”- përfundoi kryetari.

Drilon Shala nga projekti DEMOS vlerësoi angazhimin vullnetar të qytetarëve në monitorimin e katër projekteve në Dragash këtë vit, dhe propozoi që komuna të vazhdojë këtë praktikë si task-forca për mbikëqyrjen e projekteve edhe në të ardhmen.

“Është një lehtësim shumë i madh, bashkëpunimi me komunën është shumë i mirë. Sipas saj, edhe qytetarët edhe organizatat e shoqërisë civile që angazhohen me pasë më të lehtë edhe qasjen në dokumente por edhe komunikimi me Komunën”- tha Shala.

Jeton Qengaj nga OJQ Avoko prezantoi gjetjet dhe rekomandimet që janë hartuar nga ekipi i Auditimit Social në lidhje me projektet e monitoruara, të cilat u pasuan edhe me diskutim.

Në nisje të projektit të Auditimit Social në vitin 2025, BIRN Kosova ka nënshkruar një Memorandum të Mirëkuptimit me Komunën e Dragashit për bashkëpunim, transparencë dhe lehtësim të procesit të Auditimit Social në këtë komunë.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i ka vlerësuar këto projekte si shumë të rëndësishme për Komunën e Dragashit dhe është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me ekipin e Auditimit Social.

Për ngritjen e kapaciteteve, fillimisht BIRN Kosova ka ofruar një program trajnimi për gjashtë organizatat e shoqërisë civile që janë partnere gjatë implementimit të procesit të Auditimit Social në Kaçanik, Istog, Drenas, Dragash, Lipjan dhe Mamushë.

Në vitin 2025, BIRN Kosova dhe Democracy Plus (D+) janë angazhuar nga Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në 16 projekte të përzgjedhura në Kaçanik, Istog, Drenas, Dragash, Lipjan dhe Mamushë. Projektet që do të monitorohen janë përfituar nga komunat përkatëse përmes Grantit të Performancës Komunale.

Për garantimin e një procesi profesional të Auditimit Social, BIRN Kosova është duke fasilituar të gjithë procesin përmes ofrimit të mentorimit profesional dhe asistencës teknike për organizatën lokale dhe ekipin e themeluar në Komunën e Istogut, Drenasit, Kaçanikut dhe Dragashit ndërsa D+ në Komunën e Lipjanit dhe Mamushës.

DEMOS është projekt i cili bashkëfinancohet nga BE-ja, Qeveria zvicerane dhe Qeveria suedeze, dhe zbatohet nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo. Ky projekt mbështet komunat e Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.

Auditimi Social përkrahet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS).

Gjatë këtij cikli të Auditimit Social që do të zhvillohet në 12 komuna të Kosovës, organizata KLGI është përzgjedhur për të bërë fasilitimin e procesit të Auditimit Social në gjashtë komuna si e kontraktuar nga MAPL ndërsa BIRN dhe D+ në bashkëpunim me gjashtë organizata lokale janë kontraktuar nga projekti DEMOS, për të bërë fasilitimin e procesit të Auditimit Social në gjashtë komuna të tjera.

BIRN Kosova dhe D+ kanë fasilituar procesin e Auditimit Social në gjashtë komuna të Kosovës në vitin 2024, në Gjakovë, Pejë, Lipjan, Obiliq, Klinë dhe Malishevë, ndërsa në vitin 2023, BIRN Kosova ka fasilituar procesin e Auditimit Social në pesë komuna të Kosovës, në Drenas, Kaçanik, Han të Elezit, Suharekë dhe Viti.

Cikli Auditimit Social i vitit 2025 ka filluar më gusht dhe do të përfundojë në dhjetor.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika