Përmes një komunikate për media, OJQ “ Ec MA Ndryshe”, ka kritikuar komunën e Prizrenit se po tregohet e pafuqishme për të vendosur rregull urbanistik.
“Komuna e Prizrenit po tregohet e pafuqishme sa i përket vendosjes së rregullit urbanistik në ndërtimet e ndryshme, si në Qendrën Historike të Prizrenit ashtu edhe në zonat tjera të qytetit. Në pesë muajt e parë të këtij viti janë identifikuar së paku pesë raste të ndërtimeve me tejkalime të pëlqimeve të lëshuara nga autoritetet e trashëgimisë kulturore apo të lejeve ndërtimore të lëshuara nga Drejtoria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor. Në mesin e këtyre rasteve nga organet përkatëse është konstatuar mbindërtimi i një kati pa lejen e DUPH-së në objektin kolektiv banesor në rrugën “Xhemil Fluku”, pastaj ndërtimi i një aneksi pa leje ndërtimore në ndërtesën e banimit kolektiv në rrugën “Adnan Krasniqi”, dhe po ashtu në një ndërtim të objektit individual në rrugën “Rifat Krasniqi”, ku te ndërtimi i nënkulmit është evidentuar tejkalimi i lejes së lëshuar nga DUPH-ja.
Gjithashtu janë identifikuar punime në një ngastër kadastrale në rrugën “Brigada Proletare” në zonën e Nënkalasë në Qendrën Historike të Prizrenit ndonëse ka pretendime se ka skadim te aktit administrativ për këtë lëndë. Ndërkohë edhe në një rast në rrugën “Bujtinat” është vërejtur mos respektimi i vendimit të lëshuar nga autoritetet e trashëgimisë kulturore, ku përkundër rekomandimeve të dhëna të gjitha hapësirat janë shfrytëzuar për ndërtim dhe ka tejkalim të lartësisë së përdhesës.





